Në Aeroportin Ndërkombëtar të Tuzllës, Bosnjë e Hercegovinë, u organizua ceremonia e përcjelljes së fundit të trupave të ushtarakëve italianë, pjesëtarë të misionit EUFOR, të cilët humbën jetën tragjikisht javën e kaluar në rrëzimin e një helikopteri në zonën e Bërçkos.
Në ceremoninë e përcjelljes morën pjesë një delegacion i nivelit të lartë i Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Bosnjës e Hercegovinës. Në përbërje të delegacionit ishin zëvendësministrat e Mbrojtjes, Sllaven Galiq dhe Aleksandar Goganoviq, shefi i Shtabit të Përbashkët të Forcave të Armatosura të BeH-së, gjenerallejtënant Gojko Knezheviq si dhe bashkëpunëtorë dhe zyrtarë të tjerë të shumtë.
Ministria e Mbrojtjes e BeH-së përcolli mesazhe ngushëllimi të thellë dhe solidariteti me rastin e kësaj ngjarjeje tragjike.
"Edhe një herë shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për familjet e të ndjerëve, miqtë, kolegët e tyre dhe Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Italisë. Humbja e tyre nuk është vetëm dhimbje për familjet dhe atdheun e tyre, por edhe humbje për të gjithë ata që ndajnë vlerat e paqes, solidaritetit dhe përgjegjësisë së përbashkët për sigurinë. Shërbimi i tyre në Bosnjë e Hercegovinë dhe kontributi për paqen do të kujtohen me respekt të thellë", thuhet në reagimin e Ministrisë së Mbrojtjes së BeH-së.
Helikopteri ushtarak italian CH-47 Chinook u rrëzua të enjten, më 29 tetor, në zonën e fshatit Gorice, pranë Bërçkos, në verilindje të Bosnjës e Hercegovinës. Në aksident humbën jetën katër persona, ndërsa 11 të tjerë u plagosën dhe u shtruan në spital. Në helikopter ndodheshin gjithsej 15 persona.
Nga EUFOR-i u njoftua se aksidenti ndodhi gjatë zhvillimit të një stërvitjeje të rregullt dhe se është nisur një hetim i detajuar për t'i përcaktuar të gjitha rrethanat dhe shkaqet e rrëzimit të helikopterit. Gjithashtu, u bë e ditur se në aksident nuk pati civilë të lënduar dhe se nuk u shkaktuan dëme në infrastrukturën civile, pronat apo automjetet.
Helikopteri CH-47 Chinook i ushtrisë italiane ishte angazhuar në kuadër të operacionit EUFOR Althea, misionit ushtarak të Bashkimit Evropian në Bosnjë e Hercegovinë, detyra e të cilit është të mbështesë ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm si dhe zbatimin e aspekteve ushtarake të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit.
Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, publikoi të enjten vonë emrat e katër ushtarakëve që humbën jetën.
"Ndajmë dhimbjen e familjeve të rreshterit (EI AVES) Simone Ruggia, rreshterit (EI AVES) Claudio Marchesi, togerit të Korpusit Vullnetar Ushtarak të Kryqit të Kuq Italian (CRI), Franco Adriano Zecchilla, dhe rreshteres së Korpusit Vullnetar Ushtarak të Kryqit të Kuq Italian (CRI), Laura Procacci, të cilët humbën jetën duke i shërbyer Italisë, sistemit të mbrojtjes dhe ushtrisë", shkroi Crosetto në platformën X.
Crosetto njoftoi se të premten do të vizitojë të plagosurit dhe ushtarakët e tjerë, së bashku me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Italisë dhe mjekët ushtarakë.






















