Sipas informacioneve jozyrtare, disa persona kanë humbur jetën në një zjarr që shpërtheu në mbrëmje në një shtëpi pensionistësh në Tuzla.
Pas njoftimit për zjarrin, në vendngjarje arritën shpejt anëtarët e Njësisë Profesionale të Zjarrfikësve të Tuzlës, me ndihmën e ekipeve nga Srebreniku, Zhivinica, Lukavaci dhe Kalesija, ndërsa shërbimet e urgjencës nga disa komuna në kantonin Tuzla u angazhuan për të ndihmuar të prekurit.
Sipas informacioneve jozyrtare, raporton “tuzlanski.ba”, disa persona kanë humbur jetën në zjarr, por numri i saktë i viktimave ende nuk dihet.
Zëdhënësja e Qendrës Klinike Universitare të Tuzlës, Ersija Ashçeriq Mujedinoviq, konfirmoi më herët se disa pacientë janë trajtuar për helmim nga monoksid karboni.
“Tre pacientë janë trajtuar në Klinën e Sëmundjeve të Brendshme për helmim me monoksid karboni, dy janë vendosur në njësinë e kujdesit intensiv, ndërsa një pacient aktualisht ndodhet në ambulancën e pritjes ku po kryhet trajtimi mjekësor”, tha Ashçeriq Mujedinoviq.
Ministria e Punëve të Brendshme e kantonit të Tuzlës u bëri thirrje qytetarëve që të mos afrohen pranë objektit, për të mundësuar qarkullimin dhe punën e ekipeve të emergjencës, si dhe të respektojnë udhëzimet e punonjësve të policisë që kanë siguruar zonën rreth shtëpisë së pensionistëve.



























