Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka konsideruar lajm të mirë faktin që Kosova është renditur në vendin e pestë në Evropë për sigurinë, sipas Raportit Global të Sigurisë 2026 të organizatës Gallup.
“Lajm i mirë për Kosvoën. Sipas Raportit Global të Sigurisë 2026 të Gallup, Kosova renditet si vendi i 5-të më i sigurt në Evropë, bazuar në tregues që përfshijnë ndjesinë e sigurisë së njerëzve kur ecin vetëm gjatë natës”, theksoi Kurti.
Kurti tha se siguria është gurthemeli i një shoqërie që përparon, duke theksuar se "ajo forcon besimin publik, përmirëson cilësinë e jetës dhe krijon një mjedis në të cilin individët, komunitetet dhe bizneset mund të lulëzojnë”.
Minitri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se ky vlerësim vjen si rezultat i punës profesionale dhe të koordinuar të institucioneve të sigurisë, si dhe përkushtimit të vazhdueshëm të zyrtarëve policorë në shërbim të rendit, ligjit dhe sigurisë publike.
“Garantimi i sigurisë së çdo qytetari mbetet prioriteti ynë, ndërsa përmes këtij angazhimi, Republika e Kosovës kontribuon drejtpërdrejt në forcimin e paqes dhe stabilitetit jo vetëm në vend, por edhe në rajon dhe në Evropë”, shkroi Sveçla.
Në raportin e Gallup për vitin 2026, Kosova mori 90 pikë, aq sa ka edhe Danimarka dhe Finlanda, ndërsa në vendin e parë u radhit Islanda me 93 pikë.























