Kryediplomatja Spiropali i shpreh ngushëllimet Türkiyes për rrëzimin e avionit ushtarak në Gjeorgji
“Mendimet dhe ngushëllimet tona të përzemërta janë me familjet e viktimave dhe me kombin turk gjatë këtij momenti të dhimbshëm”, ka deklaruar ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka shprehur ngushëllime për Türkiyen pas rrëzimit tragjik të avionit ushtarak turk në Gjeorgji, pranë kufirit me Azerbajxhanin.
Në një postim në platformën sociale X, Spiropali shkroi: “I dërgoj ngushëllimet e mia më të thella Republikës së Türkiyes pas aksidentit të tmerrshëm të një avioni ushtarak turk pranë kufirit Gjeorgji–Azerbajxhan. Mendimet dhe ngushëllimet tona të përzemërta janë me familjet e viktimave dhe me kombin turk gjatë këtij momenti të dhimbshëm”.
Më herët gjatë ditës, një avion ushtarak turk i mallrave C-130, që udhëtonte nga Azerbajxhani, u rrëzua në Gjeorgji.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Türkiyes, në bord ndodheshin 20 persona, përfshirë ekuipazhin e fluturimit.
Më pas, ministria njoftoi se “ekipet gjeorgjiane të kërkim-shpëtimit arritën te mbetjet e avionit rreth orës 17:00”, duke shtuar se mbetjet janë siguruar për ekzaminim nga ekipi turk i hetimit të aksidenteve.