Senatori amerikan thotë se “ditët e presidentit venezuelian janë të numëruara”

Rick Scott thotë se Nicolas Maduro duhet të largohet nga vendi “për në Rusi ose Kinë, sa më shpejt”.

Senatori amerikan thotë se “ditët e presidentit venezuelian janë të numëruara” / Reuters

Senatori amerikan Rick Scott deklaroi se presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, duhet të largohet nga vendi, duke paralajmëruar se koha e tij në pushtet është e kufizuar.

“Nëse do të isha në vend të Maduros, do të nisesha drejt Rusisë ose Kinës tani menjëherë,” tha senatori republikan nga Florida për CBS, në një intervistë të publikuar të dielën.

Scott tha se “ditët e Maduros janë të numëruara”, duke parashikuar se “diçka do të ndodhë,” qoftë nga brenda apo nga jashtë vendit.

I pyetur drejtpërdrejt nëse ShBA-ja është pranë pushtimit të Venezuelës, Scott u përgjigj se nuk e mendon këtë, duke shtuar: “Nëse ndodh, do të befasohesha”.

Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur tensionet ushtarake në rajon janë shtuar. Një anije luftarake amerikane mbërriti të dielën në Trinidad dhe Tobago, teksa administrata Trump po rrit presionin ndaj Venezuelës.

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi më herët në tetor se kishte miratuar operacione të CIA-s brenda Venezuelës.

Scott gjithashtu parashikoi se rrëzimi i Maduros do të shënonte “fundin e Kubës”, duke thënë: “Amerika do të kujdeset për Hemisferën Jugore.”

Sa i përket mundësisë së dërgimit të trupave tokësore, senatori pranoi se lodhja e opinionit publik amerikan nga luftërat e bën “shumë të vështirë” një angazhim të tillë.
Megjithatë, ai sugjeroi se forcat ndërkombëtare mund të ndërhyjnë “nëse do të jetë e nevojshme.”

Venezuela nuk iu përgjigj menjëherë komenteve të Scottit.

Më herët, Maduro dënoi lëvizjet ushtarake të ShBA-së, duke akuzuar Uashingtonin se po përpiqet të nxisë “një luftë të re të përjetshme.”

Së fundmi, Venezuela njoftoi vendosjen e 5.000 raketave ruse kundërajrore të tipit Igla-S në mbarë vendin për të forcuar mbrojtjen ajrore.

ShBA-ja ka kryer sulme kundër anijeve të dyshuara si transportuese të drogës venezueliane në ujërat ndërkombëtare.