Në Shqipëri vazhdojnë protestat që janë thirrur nga studentë dhe mbështetur nga qytetarë, ndërkohë janë shoqëruar sërish me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Protestës së studentëve në Tiranë në ditën e katërt iu janë bashkuar edhe nxënës të shkollave të mesme dhe qytetarë, duke marshuar në disa rrugë dhe sheshe.
Në kryeqytet, por edhe në disa qytete të tjera të vendit protestat janë shoqëruar edhe me tensione, me akte të dhunës dhe me dëmtim të pronës publike.
Përplasje dhe tensione janë shënuar para selisë së Ministrisë së Arsimit, ku protestuesit kanë hedhur gurë në drejtim të forcave të policisë, ndërkohë policia është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës dhe ujë.
Protesta të ngjashme sot janë mbajtur edhe në Durrës, Vlorë, Burrel, Lezhë, Peshkopi dhe Elbasan, ku në disa qytete janë shënuar edhe tensione, ndërsa ka paralajmërime që do të vazhdojnë dhe në qytete të tjera.
Protestuesit kanë pretenduar se shqetësimet e ngritura lidhen me nevojat e studentëve, të cilat sipas tyre nuk janë adresuar në vitet e fundit, ndërkohë kërkesat e tyre janë zgjeruar dhe në çështje të tjera.
Disa nga problematikat me të cilat studentët kanë pretenduar se përballen lidhen me kushtet në arsim, investimet e pamjaftueshme, kostot e larta të qirave dhe mungesën e konvikteve.
Gjithashtu, një pjesë e studentëve kërkojnë edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Studentët kanë paralajmëruar vijimin e protestave edhe në ditët në vijim.
























