Kryeministri Kurti zhvilloi takime të nivelit të lartë në Mynih
Kurti u takua me Ministrin për Punë të Jashtme të Gjermanisë, Johann Wadephul, me të cilin bisedoi për marrëdhëniet bilaterale, sigurinë dhe mbrojtjen, zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe Procesin e Berlinit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një sërë takimesh në margjina të Konferencës së Sigurisë në Mynih, ku ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit bilateral, çështje të sigurisë dhe avancimin e integrimit euro-atlantik të vendit.
Në Mynih, Kurti u takua me Ministrin për Punë të Jashtme të Gjermanisë, Johann Wadephul, me të cilin bisedoi për marrëdhëniet bilaterale, sigurinë dhe mbrojtjen, zgjerimin e Bashkimit Evropian (BE) dhe Procesin e Berlinit.
Ai shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Kosovës, duke theksuar se ky ishte takimi i dytë bilateral mes tyre në muajt e fundit, pas vizitës së ministrit gjerman në Kosovë në nëntor.
Kurti pati takim edhe me deputetë të Bundestagut, përkatësisht Jurgen Hardt, Adis Ahmetoviq, Carl-Philipp Sassenrath dhe Deborah Düring.
Në fokus të këtij takimi ishte thellimi i bashkëpunimit ekonomik dhe rritja e investimeve gjermane në Kosovë.
Kryeministri kosovar theksoi se mandati i ri qeverisës do të përqendrohet në projekte infrastrukturore, përfshirë hekurudhat, ndërtimin e digave për ujë të pijes dhe stadiumeve në kuadër të organizimit të Lojërave Mesdhetare. Ai po ashtu nënvizoi rëndësinë e avancimit drejt integrimit evropian, duke nisur nga marrja e statusit të vendit kandidat.
Në një tjetër takim, Kurti u takua me senatorët amerikanë Jeanne Shaheen, Chris Murphy, Thom Tillis dhe Ruben Gallego.
I shoqëruar nga Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Diasporës, Glauk Konjufca, si dhe Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, Kurti shprehu mirënjohje ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës si aleati kryesor i Kosovës.
Gjatë takimit u theksua progresi demokratik dhe ekonomik i vendit, si dhe orientimi euroatlantik dhe synimi për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Sa i përket dialogut me Serbinë, Kurti nënvizoi rëndësinë e dorëzimit të Milan Radoiçiqit për t’u përballur me drejtësinë në Kosovë lidhur me sulmin në Banjskë të 24 shtatorit 2023, nënshkrimin e Marrëveshjes Bazike dhe tërheqjen e letrës së ish-kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, ku vihej në pikëpyetje respektimi i integritetit territorial të Kosovës.