Türkiye tha se Kuadri i Posaçëm Hapësinor për Turizmin i shpallur së fundmi nga Greqia nuk do të ketë pasoja juridike për Ankaranë në lidhje me mosmarrëveshjet e ndërlidhura në Detin Egje.
Ministria e Jashtme tha se kuadri përfshin gjithashtu formacione gjeografike, sovraniteti i të cilave nuk i është transferuar Greqisë sipas traktateve ndërkombëtare.
"Edhe një herë theksojmë se përpjekjet për të instrumentalizuar vlera universale si mbrojtja e mjedisit për qëllime politike janë të kota dhe në asnjë mënyrë nuk do të ndikojnë në qëndrimin juridik të vendosur të vendit tonë", tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Onci Keceli, në një deklaratë në platformën amerikane të mediave sociale X.
Ai theksoi gjithashtu se duhet të shmangen veprimet e njëanshme në dete të mbyllura ose gjysmë të mbyllura si Deti Egje dhe Mesdheu.
"E drejta ndërkombëtare detare inkurajon bashkëpunimin ndërmjet shteteve bregdetare në dete të tilla, përfshirë edhe për çështjet mjedisore", tha ai.
Duke kujtuar se Turqia është një nga dy shtetet bregdetare të Detit Egje, Keceli tha se Ankaraja mbetet e gatshme për bashkëpunim me Greqinë.
Ai riafirmoi gjithashtu angazhimin e Türkiyes ndaj parimeve të Deklaratës së Athinës për Marrëdhënie Miqësore dhe Fqinjësi të Mirë, të nënshkruar më 7 dhjetor 2023, duke thënë se Ankaraja vazhdon të mbështesë një qasje të sinqertë dhe gjithëpërfshirëse për zgjidhjen e çështjeve dypalëshe mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare, barazisë dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.





















