| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Lavrov: Konflikti ShBA-Izrael me Iranin ka ndikim negativ në Detin Kaspik
Lavrovi e përshkroi si të papranueshëm sulmin e kryer ndaj qytetit portual të Iranit, Bandar Anzali, muajin e kaluar dhe vuri në dukje se porti detar u shërben "interesave tregtare dhe logjistike" të pesë shteteve kaspike.
Lavrov: Konflikti ShBA-Izrael me Iranin ka ndikim negativ në Detin Kaspik
Lavrov: Konflikti ShBA-Izrael me Iranin ka ndikim negativ në Detin Kaspik / AA

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov tha sot se konflikti i zgjatur ShBA-Izrael me Iranin ka patur ndikim negativ në Detin Kaspik dhe vijën e tij bregdetare.

"Deti Kaspik duhet të mbetet zonë paqeje dhe bashkëpunimi", deklaroi Lavrov gjatë konferencës për media pas bisedimeve me ministrin e Jashtëm të Kazakistanit, Yermek Kosherbayev në kryeqytetin e vendit të Azisë Qendrore, Astana.

Lavrovi e përshkroi si të papranueshëm sulmin e kryer ndaj qytetit portual të Iranit, Bandar Anzali, muajin e kaluar dhe vuri në dukje se porti detar u shërben "interesave tregtare dhe logjistike" të pesë shteteve kaspike.

Kryediplomati rus tha se ai dhe Kosherbayev folën "në favor të zgjidhjes së shpejtë të krizës në rajonin e Gjirit Persik dhe në Lindjen e Mesme në tërësi, duke ecur drejt arritjes së marrëveshjeve politike midis të gjitha palëve të përfshira".

"Kur diskutojmë për Lindjen e Mesme, ne sigurisht besojmë se është e rëndësishme të mos humbasim nga sytë atë që po ndodh në Liban si dhe veçanërisht për bllokimin që është krijuar, pa një rrugë të qartë, në lidhje me krijimin e një shteti palestinez", tha Lavrov.

Duke folur për luftën Rusi-Ukrainë, Lavrov riafirmoi interesin e Moskës për të rifilluar negociatat e paqes bazuar në "mirëkuptimet ekzistuese ruso-amerikane".

Ministri i Jashtëm rus potencoi se Moska pret që marrëveshjet e arritura gjatë samitit midis presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit amerikan Donald Trump në Alaska në gusht të vitit të kaluar "do të zbatohen".

Ai gjithashtu shprehu mirënjohjen e Rusisë ndaj Kazakistanit për "kuptimin e situatës dhe vlerësimin e tyre të ekuilibruar të asaj që po ndodh atje".

Lavrovi foli më tej për marrëdhëniet dypalëshe midis Moskës dhe Astanës, duke thënë se procesi i tyre i hapjes së një Konsullate të Përgjithshme Ruse në qytetin Aktau "ka hyrë në fazat e tij të fundit".

Ai tha gjithashtu se ai dhe homologu i tij kazak diskutuan orarin e kontakteve të ardhshme dypalëshe, përfshirë vizitën e Putinit në vendin e Azisë Qendrore muajin e ardhshëm.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë