Zjarret pyjore vazhduan të digjnin disa zona të Greqisë të shtunën, duke detyruar banorët të evakuohen dhe duke dëmtuar banesa, ndërsa erërat e forta vështirësuan operacionet e shuarjes, raportoi e përditshmja greke “Ekathimerini”.
Vatra më e madhe ishte aktive pranë qytezës bregdetare Porto Germeno, rreth 60 kilometra në perëndim të Athinës. Avionët zjarrfikës rifilluan hedhjen e ujit nga ajri, pasi ekipet tokësore luftuan me flakët gjatë gjithë natës.
Përmes sistemit të paralajmërimit emergjent 112, autoritetet urdhëruan evakuimin e Porto Germenos, Psathas dhe Mytikasit. Ndërkohë, 12 persona u shpëtuan me varka gjatë natës.
Mediat lokale raportuan se disa banesa u shkatërruan, ndërsa një automjet zjarrfikës u dogj plotësisht.
Ekipet zjarrfikëse vijuan përpjekjet për të vënë nën kontroll një tjetër vatër në veriperëndim të Peloponezit, ndërsa situata në rajonin e Rethymnos, në ishullin e Kretës, u përmirësua.
Autoritetet njoftuan se që nga mëngjesi i së premtes në të gjithë Greqinë ishin regjistruar mbi 70 zjarre pyjore. Temperaturat e larta, moti i thatë dhe erërat e forta favorizuan përhapjen e shpejtë të flakëve.
Një zjarr tjetër përfshiu malin Poikilo, në periferinë perëndimore të Athinës, duke arritur në skajin e lagjes Haidari dhe duke iu afruar perimetrit të Spitalit Psikiatrik Daphni.
Si masë paraprake, nga spitali u evakuuan 17 pacientë, megjithëse flakët nuk arritën në objekt.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis vizitoi të shtunën qendrën e koordinimit të krizave të Mbrojtjes Civile për t’u informuar mbi situatën, ndërsa shërbimet emergjente vijuan operacionet në të gjithë vendin.






















