Indonezia dënon vrasjen e paqeruajtësit në Liban, kërkon hetim “të plotë”

Xhakarta dënoi përsëri sulmet e Izraelit në jug të Libanit.

By
Indonezia dënon vrasjen e paqeruajtësit në Liban, kërkon hetim “të plotë” / Reuters

Të hënën Indonezia dënoi “fuqishëm” vrasjen e një paqeruajtësi indonezian të Forcës së Përkohshme të OKB-së në Liban (UNIFIL), i cili humbi jetën në një shpërthim të dielën vonë, sipas një deklarate zyrtare.

Ministria e Jashtme e Indonezisë bëri thirrje për një hetim “të plotë dhe transparent” mbi incidentin, duke theksuar se siguria dhe mbrojtja e paqeruajtësve të OKB-së duhet të “respektohen plotësisht në çdo kohë” në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Më herët, UNIFIL-i njoftoi se një paqeruajtës u vra “tragjikisht” të dielën, kur një predhë shpërtheu në një pozicion të UNIFIL-it pranë fshatit Adchit Al-Qusayr në jug të Libanit. Ndërsa një paqëruajtës tjetër mbeti i plagosur rëndë.

Xhakarta dënoi përsëri sulmet e  Izraelit në jug të Libanit dhe u bëri thirrje të gjitha palëve të respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Libanit, të ndalojnë sulmet ndaj popullsisë civile dhe infrastrukturës, si dhe të rikthehen në dialog dhe diplomaci për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm.

Izraeli ka goditur Libanin me sulme ajrore dhe ka nisur një ofensivë tokësore në jug që nga një sulm ndërkufitar nga Hezbollah më 2 mars. ShBA-ja dhe Izraeli nisën një ofensivë ajrore ndaj Iranit më 28 shkurt, duke shkaktuar mbi 1.340 viktima deri më tani.

Teherani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që kanë shënjestruar Izraelin, Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që kanë baza ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë, si dhe duke ndikuar në tregjet globale dhe aviacionin.