Ministri i Jashtëm norvegjez, Espen Barth Eide, e përshkroi sot rezultatin e zgjedhjeve të mesmandatit në ShBA si "fitore për demokracinë", duke e mirëpritur faktin që republikanët i pranuan rezultatet, raportoi transmetuesi NRK.
"Zgjedhjet këtu shkuan mirë dhe pala humbëse, përkatësisht Trumpi dhe republikanët, e kanë njohur rezultatin. Mendoj se duhet të jemi të kënaqur me këtë. Kjo, në vetvete, është diçka e rëndësishme në kohën tonë", tha Eide.
Ai i interpretoi rezultatet si një shenjë se votuesit amerikanë janë lodhur nga lëvizja MAGA dhe nga polarizimi politik. "Mendoj se kjo është përgjigje shumë e qartë nga shumica amerikane, e cila tregon se ata janë ngopur me MAGA-n dhe duan një drejtim tjetër. Ata janë lodhur nga polarizimi", shtoi ai.
Eide pranoi se presidenti i ShBA-së ruan një ndikim të konsiderueshëm mbi politikën e jashtme, por theksoi se rezultati i zgjedhjeve do ta kufizojë aftësinë e Trumpit për ta riformuar vendin sipas imazhit të tij.
Analisti ekonomik norvegjez, Ketil Solvik-Olsen nga instituti kërkimor "Civita", u shpreh se rezultatet sugjerojnë që shoqëria amerikane është më pak e përçarë politikisht sesa paraqitet shpesh. "Amerikanët nuk janë aq të polarizuar sa mund të mendohet. Polarizimi ekziston në nivelet e larta, por jo domosdoshmërisht në bazë", tha Solvik-Olsen.
Ai theksoi se zërat ekstremë shpesh dominojnë debatin politik në ShBA ndërsa shumë amerikanë kanë pikëpamje më të moderuara. Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se do t'i pranonte rezultatet e zgjedhjeve dhe se është i gatshëm të bashkëpunojë me demokratët.
"Mezi pres të punoj me ta, do ta gjejmë një zgjidhje", citohet të ketë thënë Trump. Ai pranoi se çështja e Iranit ka kontribuar pjesërisht në humbjet e republikanëve.
Demokratët fituan kontrollin e të dy dhomave të Kongresit amerikan në zgjedhjet e mesmandatit të 3 nëntorit, duke i dhënë fund kontrollit republikan mbi Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin. Shumica e re në Kongres pritet të marrë detyrën në janar të vitit 2027.






















