Kina dhe Tajlanda kanë nënshkruar tetë marrëveshje bashkëpunimi që përfshijnë tregtinë, sigurinë, bujqësinë dhe teknologjinë, pas bisedimeve Bangkok mes kryeministrit kinez, Li Qiang dhe kryeministrit tajlandez, Anutin Charnvirakul.
Departamenti i Marrëdhënieve me Publikun i Qeverisë së Tajlandës njoftoi e marrëveshjet u nënshkruan dje, gjatë vizitës zyrtare treditore të kryeministrit Li, e para nga një kryeministër kinez në Tajlandë në shtatë vjet.
Dokumentet përfshijnë prodhimin e automjeteve, arsimin profesional, eksportet bujqësore, sigurinë ushqimore, bashkëpunimin në fushën e sigurisë, standardet e matjes dhe shërbimet konsullore.
Sipas raportit të gazetës tajlandeze The Nation, protokollet e reja do të lehtësojnë eksportin drejt Kinës të frutave tropikale tajlandeze, durianit dhe salakut, ndërsa bashkëpunimi në industrinë e automobilave do të përqendrohet te automjetet elektrike, prodhimi i baterive dhe transferimi i teknologjisë.
Anutin kërkoi gjithashtu përparim lidhur me propozimin e Kinës për blerjen e 500 mijë tonëve oriz tajlandez, nga të cilët tashmë janë shitur 40 mijë tonë në fazën fillestare.
Dy liderët gjithashtu diskutuan zgjerimin e bashkëpunimit në fushat e inteligjencës artificiale, gjysmëpërçuesve, energjisë së rinovueshme dhe lidhjes hekurudhore që bashkon Kinën, Laosin dhe Tajlandën.
Ata ranë dakord gjithashtu të forcojnë përpjekjet kundër krimit kibernetik ndërkufitar dhe mashtrimeve në internet, përfshirë shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës dhe bashkëpunimin për të luftuar flukset e paligjshme financiare.
Sipas gazetës tajlandeze, Kina ofroi asistencë teknike dhe pajisje monitorimi për trajtimin e ndotjes ndërkufitare të ujërave.
Kryeministri Li u zotua të thellojë bashkëpunimin ekonomik dypalësh dhe të avancojë projektin hekurudhor Kinë-Tajlandë, raportoi të shtunën agjencia shtetërore kineze e lajmeve Xinhua.
Të dy liderët riafirmuan angazhimin e tyre për forcimin e partneritetit të gjithanshëm strategjik të bashkëpunimit mes dy vendeve.























