Zëvendëspresidenti i Türkiyes, Cevdet Yılmaz, mori pjesë të hënën në Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Erevan të Armenisë, ku zhvilloi edhe takime.
Yılmazi, duke përfaqësuar Presidentin Recep Tayyip Erdoğan, mori pjesë në takimin në Kompleksin e Sporteve dhe Koncerteve “Karen Demirchyan”, ku u prit nga Kryeministri armen, Nikol Pashinyan.
Pas ceremonisë së hapjes, ai iu bashkua seancës inauguruese dhe pozoi për një foto familjare me udhëheqës të tjerë.
Më shumë se 40 udhëheqës po marrin pjesë në samit, përfshirë Presidentin ukrainas – Volodymyr Zelenskyy, Presidentin francez – Emmanuel Macron, Kryeministrin britanik – Keir Starmer dhe Kryeministren italiane – Giorgia Meloni.
Yilmazi u takua fillimisht me Kryeministrin norvegjez, Jonas Gahr Store, për të diskutuar lidhjet dypalëshe dhe fushat e bashkëpunimit.
Në një deklaratë të ndarë në platformën turke të mediave sociale “NSosyal”, ai tha se bisedimet mbuluan marrëdhëniet Türkiye-Norvegji dhe bashkëpunimin në ekonomi, tregti, turizëm, investime, energji, shkencë e teknologji, industrinë e mbrojtjes dhe luftën kundër terrorizmit.
“Türkiye i kushton rëndësi forcimit të bashkëpunimit me Norvegjinë në të gjitha fushat”, tha Yilmazi duke falënderuar Storen për qasjen e tij konstruktive dhe kontributet në marrëdhëniet dypalëshe.
Veçmas, zëvendëspresidenti turk u takua me sekretarin e përgjithshëm të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Feridun Sinirlioğlu.
Në një deklaratë të shpërndarë në “NSosyal”, Yilmazi tha se shpreson që OSBE-ja, me përvojën e saj institucionale, do të vazhdojë të kontribuojë në mënyrë efektive në paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në të gjithë rajonet euroatlantike dhe euroaziatike dhe i uroi Sinirlioğlusë suksese në rolin e tij.

















