Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se ShBA-ja planifikon ta reduktojë praninë e saj ushtarake me “shumë më tepër se 5 mijë trupa” pas vendimit për t'i reduktuar forcat në Gjermani.
“Do ta ulim ndjeshëm dhe po e ulim shumë më tepër se 5 mijë”, u tha Trump gazetarëve në shtetin amerikan Florida kur u pyet për tërheqjen e trupave nga Evropa.
Të premten, Pentagoni njoftoi reduktimin e forcave në Gjermani, qendra më e madhe ushtarake amerikane në Evropë, ndërsa mosmarrëveshjet lidhur me luftën në Iran dhe tarifat tregtare kanë thelluar tensionet midis ShBA-së dhe aleatëve të tij evropianë.
Një zëdhënës i Pentagonit të premten tha se shefi i mbrojtjes amerikane ka urdhëruar tërheqjen e rreth 5 mijë trupave nga Gjermania.
Ky veprim vjen pas deklaratave të Trumpit se ShBA-ja po rishqyrton praninë ushtarake në Gjermani. Komentet e tij erdhën pasi kancelari gjerman, Friedrich Merz, kritikoi ShBA-në për mungesë të një strategjie të qartë rrugëdaljeje nga lufta në Iran, duke argumentuar se amerikanët po “poshtërohen” nga udhëheqja iraniane gjatë negociatave.
Ndërkohë, kryetarët e Komiteteve të Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit shprehën shqetësim për këtë vendim.
“Jemi shumë të shqetësuar nga vendimi për të tërhequr një brigadë amerikane nga Gjermania”, thanë senatori Roger Wicker dhe përfaqësuesi Mike Rogers dje në një deklaratë.













