Presidenti i Serbisë paralajmëron vizitë në Türkiye

Nuk është sekret se Kroacia është e përfshirë në ngjarjet në Serbi, pretendon presidenti Aleksandar Vuçiq

By
Vuçiq me vizitë në Türkiye dhe bisedime me Erdoğanin, kritikon Kroacinë dhe aleancën rajonale / AA

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se në ditët në vijim do të qëndrojë për një vizitë zyrtare në Türkiye, ku, siç u shpreh, do të zhvillojë bisedime shumë të rëndësishme me presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, duke paralajmëruar një sërë aktivitetesh intensive diplomatike në javët e ardhshme.

Vuçiç këto deklarata i bëri për gazetarët në Mladenovac, pas hapjes së gjimnazit të rindërtuar.

Diplomacia rajonale dhe ndërkombëtare

Vuçiç tha se pas vizitës në Ankara do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku planifikon një takim dypalësh me ministrin e Jashtëm të Kinës, Wang Yi.

Ai njoftoi gjithashtu se më 15 shkurt, në Ditën e Shtetësisë së Serbisë – Sretenje, pret ardhjen e presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, për një vizitë zyrtare në Beograd, duke theksuar se kjo vizitë ka rëndësi të veçantë për Serbinë, veçanërisht në fushën e energjetikës, ku dy vendet planifikojnë projekte të përbashkëta, përfshirë ndërtimin e një centrali elektrik me gaz.

Një ditë pas vizitës së Aliyevit, Vuçiç planifikon udhëtim në Indi, ku do të marrë pjesë në një samit kushtuar inteligjencës artificiale dhe do të zhvillojë një takim dypalësh me kryeministrin indian, Narendra Modi, si dhe bisedime me liderë të tjerë botërorë.

Pas kthimit nga India, tha ai, Serbia pret ardhjen e zyrtarëve evropianë, me të cilët do të ketë një darkë më 20 ose 21 shkurt, përpara një vizite dypalëshe në Kazakistan.

Akuza ndaj Kroacisë

Vuçiç deklaroi gjithashtu në Mladenovac se, sipas tij, nuk është sekret se Kroacia, mediat e saj dhe aktorët politikë janë të përfshirë në ngjarjet në Serbi.

Ai theksoi se për këto pretendime, siç u shpreh, nuk nevojitet shërbim inteligjent, pasi ato janë “të dukshme me sy të lirë”, duke shtuar se Zagrebi, sipas tij, shpreson për ndryshime të pushtetit në Serbi.

Duke folur për, siç u shpreh, rikthimin e ideologjisë ustashe në hapësirën publike të Kroacisë, Vuçiç pretendoi se kjo ideologji nuk është zhdukur kurrë plotësisht, por sot është e pranishme në një formë më të hapur.

Shqetësim për aleancën ushtarake në rajon

Presidenti i Serbisë deklaroi gjithashtu se është “shumë i shqetësuar” për, siç tha, aleancën ushtarake mes Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit, duke pretenduar se nuk bëhet fjalë për bashkëpunim ushtarako-teknik, por për një aleancë që mund të ketë edhe karakter ofensiv.

Sipas tij, Serbia disponon të dhëna të inteligjencës për bisedimet që, siç tha, po zhvillohen mbi drejtimet e mundshme të sulmit dhe mbrojtjes, si dhe për përpjekjet e Prishtinës për të siguruar armatim shtesë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Türkiye.

Vuçiq porositi se qytetarët e Serbisë nuk duhet të shqetësohen, duke theksuar se kapacitetet e Ushtrisë së Serbisë po forcohen vazhdimisht.

Zhvillimi teknologjik dhe robotët

Vuçiç deklaroi gjithashtu se Serbia, në pesë muajt e ardhshëm, mund të nisë prodhimin e robotëve të parë humanoidë, nëse sigurohen sasi të mjaftueshme të energjisë elektrike.

Ai paralajmëroi bisedime me drejtuesit e Elektroprivredës së Serbisë (EPS) për rritjen e kapaciteteve prodhuese, duke theksuar se shteti dëshiron të hyjë sa më shpejt në fushën e robotikës së avancuar dhe automatizimit.

Interes global për bashkëpunim me vendet arabe

Duke folur për trendet globale politike dhe ekonomike, Vuçiç vlerësoi se bota po orientohet gjithnjë e më shumë drejt marrëdhënieve bilaterale, në vend të atyre multilaterale, për shkak të nevojës për burime energjetike të sigurta dhe më të lira.

Ai tha se për këtë arsye është rritur interesi për bashkëpunim me vendet arabe, duke përmendur si shembull aktivitetet e Gjermanisë dhe vendeve të tjera perëndimore, dhe rikujtoi se Serbia e ka nisur një qasje të tillë më shumë se një dekadë më parë përmes partneritetit me Emiratet e Bashkuara Arabe.

Vuçiq njoftoi se Serbia do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme aktivitetet intensive ndërkombëtare, me qëllim që, sipas tij, t’i mbrojë interesat e saj politike dhe ekonomike.