Arabia Saudite lëshoi të martën alarme urgjence për një “rrezik të mundshëm” në Xhide, Mekë dhe Taif, në perëndim të vendit, duke u bërë thirrje banorëve të strehohen dhe të ndjekin udhëzimet zyrtare të sigurisë.
Sipas Mbrojtjes Civile Saudite, alarmet u lëshuan përmes Platformës Kombëtare të Paralajmërimit të Hershëm për Emergjencat.
Autoritetet nuk specifikuan natyrën e rrezikut të mundshëm.
Banorëve iu bë thirrje të qëndrojnë të qetë dhe të zhvendosen menjëherë në vendin më të afërt të sigurt, mundësisht brenda një ndërtese ose në një dhomë të brendshme larg dritareve, dhe të qëndrojnë aty derisa të kalojë rreziku.
Mbrojtja Civile këshilloi gjithashtu qytetarët të qëndrojnë larg hapësirave të hapura, dritareve, ballkoneve dhe çative, ndërsa personat që ndodhen jashtë u udhëzuan të hyjnë në ndërtesën më të afërt ose të strehohen pas një pengese të fortë.
Drejtuesit e automjeteve që marrin alarm u udhëzuan të ndalojnë në një vend larg urave dhe ndërtesave të larta, ndërsa opinioni u këshillua të shmangë grumbullimet dhe zonat e rrezikshme, si dhe të ndjekë udhëzimet përmes kanaleve zyrtare.
Alarmet vijnë në një kohë të përshkallëzimit të përleshjeve mes Arabisë Saudite dhe grupit Huthi të Jemenit, i cili ditët e fundit ka kryer një seri sulmesh me raketa dhe dronë ndaj qyteteve dhe infrastrukturës saudite. Forcat saudite u janë përgjigjur me sulme ndaj pozicioneve të Huthive në Jemen.























