| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Rusia arreston ish-rojen e sigurisë së ambasadës britanike nën dyshimin për “tradhti”
FSB-ja tha se pjesëtarët e saj arrestuan gjatë “operacioneve të kundërzbulimit” personin, një shtetas rus i lindur në vitin 1981 dhe ndaj tij është hapur një çështje penale nën dyshimin për “tradhti të lartë”.
Rusia arreston ish-rojen e sigurisë së ambasadës britanike nën dyshimin për “tradhti”
Rusia arreston ish-rojen e sigurisë së ambasadës britanike nën dyshimin për “tradhti”

Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB) ka njoftuar se ka arrestuar një ish-roje sigurie të ambasadës britanike në Moskë nën dyshimin për “tradhti të lartë”, për shkak të mbledhjes së informacioneve për Shërbimin e Sigurisë së Ukrainës (SBU).

FSB-ja tha se pjesëtarët e saj arrestuan gjatë “operacioneve të kundërzbulimit” personin, një shtetas rus i lindur në vitin 1981 dhe ndaj tij është hapur një çështje penale nën dyshimin për “tradhti të lartë”.

Shërbimi rus i sigurisë theksoi se është dokumentuar se shtetasi rus, sipas udhëzimeve të një blogeri ukrainas dhe “në interes të SBU-së”, kishte mbledhur informacione për personelin e misionit diplomatik, përfshirë të dhënat personale të identifikimit, adresat dhe automjetet që përdornin.

FSB-ja pretendoi se Ukraina synonte t’i përdorte këto informacione për të “përgatitur dhe kryer akte sabotimi dhe terrorizmi” kundër diplomatëve të misionit diplomatik britanik dhe më pas ta akuzonte Rusinë, me qëllim përfshirjen e Mbretërisë së Bashkuar në një konflikt të drejtpërdrejtë të armatosur me Rusinë, si dhe sigurimin e furnizimeve shtesë ushtarake për Kievin dhe intensifikimin e mëtejshëm të sanksioneve ndaj Moskës.

“FSB-ja ruse do të vazhdojë t’u kundërvihet aktiviteteve të shërbimeve të huaja të inteligjencës duke përdorur të gjitha metodat në dispozicion”, thuhet në deklaratë.

As autoritetet britanike dhe as ato ukrainase nuk komentuan menjëherë deklaratën e FSB-së.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë