| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Kryeministri australian paralajmëron liderët botërorë për kërcënimet ndaj demokracisë
"Në të gjithë botën, polarizimi politik po zvogëlon kohezionin shoqëror, duke ushtruar presion shtesë mbi proceset demokratike", tha Anthony Albanese
Kryeministri australian paralajmëron liderët botërorë për kërcënimet ndaj demokracisë
Kryeministri australian paralajmëron liderët botërorë për kërcënimet ndaj demokracisë/ Reuters

Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese paralajmëroi sot se polarizimi politik në rritje po dëmton kohezionin shoqëror dhe po i vë institucionet demokratike nën presion në rritje në mbarë botën.

Duke iu drejtuar Takimit të Kryetarëve të Qeverive të Komonuelthit në Saint John's, Antigua dhe Barbuda, Albanese u kërkoi udhëheqësve të forcojnë mbrojtjet demokratike dhe të mbrojnë nga dhuna përfaqësuesit e zgjedhur.

"Në të gjithë botën, polarizimi politik po zvogëlon kohezionin shoqëror, duke ushtruar presion shtesë mbi proceset demokratike", tha ai, sipas një transkripti të ndarë nga zyra e tij.

Albanese paralajmëroi se kërcënimet ndaj politikanëve, veçanërisht ndaj grave po rriten, ku disa rezultojnë në sulme dhe vrasje serioze. Ai përmendi sulmin e fundit ndaj ligjvënëses australiane Helen Haines, e cila pësoi lëndime të rënda dhe mbetet në gjendje të rëndë.

Më 19 tetor, Haines 65 vjeçe, u godit nga një automjet jashtë zyrës së saj zgjedhore në Wangaratta të Victorias, duke i detyruar mjekët t'i amputonin të dy këmbët.

Kryeministri australian tha se incidenti nënvizoi urgjencën e mbrojtjes së përfaqësuesve të zgjedhur dhe mbështeti iniciativat e Komonuelthit për të përmirësuar sigurinë e tyre. Ai shtoi se konfliktet në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme kanë ndikim "shkatërrues" në ekonominë globale.

Albanese përsëriti thirrjet e Australisë që Rusia të përfundojë luftën e saj ndaj Ukrainës, për një armëpushim në Lindjen e Mesme dhe për hapjen sërish të Ngushticës së Hormuzit dhe rivendosjen e lirisë së lundrimit dhe tregtisë".

Ai u bëri thirrje anëtarëve të Komonuelthit të përballen me dezinformimin, ndërhyrjen në zgjedhje dhe keqpërdorimin e inteligjencës artificiale, duke paralajmëruar se platformat dixhitale po nxisin përçarje dhe dhunë.

Sipas tij, Australia mbështet ruajtjen e kontrollit njerëzor mbi "zhvillimin dhe vendosjen" e inteligjencës artificiale. Albanese bëri thirrje për bashkëpunim më të fortë ndërkombëtar mbi ndryshimet klimatike, veçanërisht për të mbrojtur vendet ishullore të cenueshme të Paqësorit.