Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i Kosovës ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit.
Në një mbledhje të KQZ-së, anëtarët e këtij komisioni kanë miratuar listat e kandidatëve të të gjitha partive.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, njoftoi se pas këtij vendimi kandidatët kanë të drejtë ankese ndaj shpalljes së rezultatit në afat prej 48 orësh, duke filluar nga mesdita e sotme deri në mesditën e ditës së hënë.
Sipas rezultateve përfundimtare, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dalë partia më e madhe parlamentare me 53 deputetë në Legjislaturën e 11-të të Kuvendit të Kosovës.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të ketë 22 deputetë në legjislaturën e re, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka siguruar 18 deputetë. Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do të përfaqësohet me shtatë deputetë.
Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja, pritet të nisin procedurat për certifikimin e tyre dhe më pas hapat për formimin e institucioneve.
Kryeministri në detyrë, njëherësh kandidat për kryeministër nga LVV-ja, Albin Kurti, ka deklaruar se diskutimet për një bashkëpunim të mundshëm politik do të nisin pas certifikimit të rezultateve.























