Në vendet e Ballkanit u shënua 103-vjetori i themelimit të Republikës së Türkiyes dhe 29 Tetori - Dita e Republikës, me pritje solemne të organizuara nga përfaqësitë turke.
Në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, u organizua pritje nën mikpritjen e ambasadorit të Türkiyes, Baris Ceyhun Erciyes.
Në pritje morën pjesë presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, përfaqësues të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke e shqiptare në vend, si dhe të ftuar të tjerë.
Gjatë pritjes u intonuan himnet kombëtare të të dy vendeve. Gjithashtu, u shfaq mesazhi i presidentit të Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan.
Në fjalën e tij, ambasadori Erciyes tha se Türkiye dhe Shqipëria kanë marrëdhënie historike.
Duke i falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjen, Erciyes tha: “Shqipëria është partneri ynë strategjik, aleati ynë në NATO dhe miku ynë i ngushtë”.
- Kosovë
Në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, pritja u organizua nën mikpritjen e ambasadorit Babur Hizlan, i Ngarkuar me Punë i Ambasadës së Türkiyes në Prishtinë.
Në pritje morën pjesë presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, zëvendëskryeministri i Kosovës dhe kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Fikrim Damka, si dhe ministra, deputetë, kryetarë komunash, përfaqësues të partive politike, përfaqësues të institucioneve turke që veprojnë në vend dhe shumë të ftuar në përfaqësim të komunitetit turk të Kosovës.
Aktiviteti nisi me intonimin e himnit kombëtar të Türkiyes dhe atij të Kosovës, ndërsa Hizlan lexoi mesazhin e presidentit Recep Tayyip Erdogan me rastin e 29 Tetorit - Ditës së Republikës.
Në fjalën e tij, Hizlan përkujtoi me mirënjohje Mustafa Kemal Ataturkun dhe bashkëluftëtarët e tij.
Presidentja e Kosovës, Shiroka-Pula, tha se Türkiye është një partner strategjik dhe aleat i rëndësishëm për vendin e saj, duke theksuar se marrëdhëniet mes dy vendeve bazohen në respektin e ndërsjellë dhe vullnetin për thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme.
Shiroka-Pula falënderoi Türkiyen për ndihmën e dhënë Kosovës në fusha të ndryshme dhe uroi Ditën e Republikës së Türkiyes.
Ceremonia përfundoi pas shërbimit të ushqimeve dhe pijeve për të pranishmit.
- Maqedoni e Veriut
103-vjetori i themelimit të Republikës së Türkiyes në Maqedoninë e Veriut u shënua me një pritje të organizuar nga Ambasada e Türkiyes në Shkup.
Në pritjen e organizuar në rezidencën e ambasadës morën pjesë presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ministra, deputetë, kryetarë komunash, përfaqësues të partive politike, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave nga Türkiye dhe Maqedonia e Veriut, si dhe shumë të ftuar të tjerë.
Në fjalën e tij, ambasadori Alper Aktas theksoi se Maqedonia e Veriut dhe Türkiyes janë vende mike dhe aleate, duke i falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjen.
Duke theksuar se viti 2026 ka qenë jashtëzakonisht i frytshëm për marrëdhëniet dypalëshe mes Türkiyes dhe Maqedonisë së Veriut, Aktas tha: “Me vendosmërinë tonë të përbashkët, jemi të vendosur ta çojmë këtë bashkëpunim të fuqishëm në nivele edhe më të larta”.




















