Ushtria e Kroacisë do të pranojë mbi 1.300 persona në vitin 2026

Shpenzimet totale për punësimin e personelit të ri pritet të arrijnë rreth 9,5 milionë euro, të financuara nga buxheti shtetëror.

By
Ushtria e Kroacisë do të pranojë mbi 1.300 persona në vitin 2026 / AA

Qeveria e Kroacisë ka miratuar Planin e pranimit të personelit për Ushtrinë e Kroacisë në vitin 2026, duke parashikuar punësimin e më shumë se 1.300 ushtarëve, oficerëve, nënoficerëve, kadetëve dhe punonjësve civilë.


Ky hap ka për qëllim forcimin e kapaciteteve të ushtrisë dhe plotësimin e vendve të lira sipas nevojave mbrojtëse të vendit.

Sipas planit, këtë vit do të pranohen: 1.000 ushtarë/marinarë, 45 kandidatë për oficerë, 30 nënoficerë dhe oficerë që kanë përfunduar shërbimin aktiv me largim të nderuar pa të drejtë për pension, 30 punonjës civilë, dhe 150 persona për staf administrativ.

Përveç tyre, 101 kadetë do të nënshkruajnë kontrata për shërbim kadeti dhe trajnim për oficerë, ndërsa për 250 persona që tashmë punojnë në ushtri do të ndryshohet kategoria e personelit ushtarak.

“Në kuadër të këtij plani kemi vendosur trajnimin themelor ushtarak për rekrutët e rinj, me qëllim fitimin e njohurive dhe aftësive të nevojshme për shërbimin aktiv. Të gjithë rekrutët mund të jenë kandidatë për pranimin si ushtarë ose marinarë”, tha nënkryetari i qeverisë dhe ministri i Mbrojtjes, Ivan Anshiq.

Buxheti shtetëror siguron mjetet e nevojshme për zbatimin e planit, ndërsa kostoja totale për punësimin e personelit të ri llogaritet rreth 9,5 milionë euro.