Shpallja e Gardës Revolucionare Iraniane “organizatë terroriste”, Irani thërret të dërguarit e BE-së

Tensionet rriten mes Iranit dhe vendeve evropiane për shkak të shpalljes së IRGC-së si “organizatë terroriste”

By
Shpallja e Gardës Revolucionare Iraniane “organizatë terroriste”, Irani thërret të dërguarit e BE-së / AA

Irani deklaroi të hënën se ditët e fundit ka thirrur të gjithë të dërguarit e Bashkimit Evropian për shkak të hapit që synon Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), duke shtuar se po shqyrton edhe “kundërmasa”.

Duke folur në një konferencë javore për shtyp në Teheran, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Esmail Baghaei, i quajti veprimet e Iranit “një hap minimal” dhe e përshkroi shpalljen e IRGC-së si “veprim të paligjshëm, të pajustifikuar dhe të gabuar”.

Ai tha se një “gamë masash” aktualisht ndodhet në agjendën e ministrisë, duke shtuar se janë përgatitur opsione të ndryshme dhe u janë përcjellë organeve vendimmarrëse pas vendimit të BE-së për shpalljen e IRGC-së.

Tensionet mes Iranit dhe vendeve evropiane janë përshkallëzuar në mes të protestave të fundit brenda Iranit, me liderët evropianë që dënojnë atë që e cilësojnë si “shtypje të protestuesve”.

Të enjten, BE-ja e shpalli Korpusin e Gardës Revolucionare Iraniane (IRGC) “organizatë terroriste”, duke shkaktuar reagime të forta nga udhëheqja civile dhe ushtarake e Iranit.

Të dielën, parlamenti iranian njoftoi se vendi tani i konsideron ushtritë e BE-së si “organizata terroriste”, pas miratimit nga organi më i lartë i sigurisë në Iran, në atë që zyrtarët e përshkruan si një veprim reciprok.

“Është theksuar më herët se veprimi i BE-së nuk është vetëm fyerje për popullin iranian, por edhe një keqllogaritje strategjike nga ana e BE-së. Fatkeqësisht, BE-ja ka harruar se ata që i etiketon si terroristë janë pikërisht ata që ruajnë sigurinë dhe stabilitetin në rajonin e Gjirit Persik,” tha Baghaei të hënën.

“Nëse BE-ja mendon se ky veprim ka për qëllim të kënaqë apo t’i bëjë qejfin ShBA-së dhe regjimit sionist, ajo gabon rëndë. Fakiti që regjimi sionist ishte i pari që përgëzoi Gjermaninë dhe ministrin e saj të jashtëm për këtë rezolutë të BE-së është shumë domethënës dhe tregon se kush po e orkestron këtë shfaqje fyese,” shtoi ai.

“Franca nuk ka as bazë ligjore dhe as morale për të ndërhyrë apo komentuar në çfarëdo procesi diplomatik. Ajo gjithashtu ka luajtur një rol destruktiv në rezolutën e paligjshme dhe të papërshtatshme të BE-së,” tha ai.