Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, i shoqëruar nga delegacioni i FSK-së, po merr pjesë në panairin "SAHA Expo 2026" në Istanbul, në një ndër ngjarjet më të rëndësishme në industrinë e mbrojtjes.
Siç njofton FSK-ja, komandanti i FSK-së, Jashari, në ceremoninë zyrtare të hapjes u takua me drejtuesit e Mbrojtjes dhe të Forcave të Armatosura të Türkiyes, ku gjatë këtij takimi prezantoi objektivat e tij për zhvillimin e FSK-së dhe diskutoi planet dypalëshe që lidhen me trajnimet, stërvitjet, pajisjet dhe aktivitetet e tjera të përbashkëta.
Gjatë këtij organizimi, Jashari ndoqi nga afër zhvillimet teknologjike në industrinë e mbrojtjes, në përputhje me objektivat për modernizimin e kapaciteteve të vendit.
Delegacioni zhvilloi gjithashtu takime me prodhues të ndryshëm, me fokus në forcimin e kapaciteteve ushtarake të FSK-së për përmbushjen e misionit të saj.
"SAHA EXPO 2026" është një platformë kyçe për forcimin e bashkëpunimit me partnerët, ku u vlerësua se pjesëmarrja e FSK-së ndihmon në zhvillimin e aftësive kosovare moderne në përballimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë.




















