Gjermania dhe Austria kanë bërë thirrje për krijimin e një strukture evropiane të pronësisë për operacionet e TikTok-ut në kontinent, me qëllim kufizimin e kontrollit nga vendet e treta mbi të dhënat e përdoruesve dhe diskursin publik.
Ministri gjerman i Shtetit për Kulturën dhe Median, Wolfram Weimer dhe sekretari austriak i Shtetit për Digjitalizimin, Alexander Proell prezantuan propozimin në një deklaratë të përbashkët. Ata deklaruan se struktura e re "do të sigurojë kontrollin mbi të dhënat dhe algoritmet si dhe do të forcojë sovranitetin digjital", duke ftuar të gjitha vendet evropiane t'i bashkohen kësaj nisme.
TikToku, në pronësi të kompanisë ByteDance me seli në Pekin ka rreth 200 milionë përdorues aktivë në muaj në të gjithë Evropën. Ministrat thanë se afërsisht një e treta e popullsisë së Gjermanisë dhe Austrisë e përdor këtë platformë, duke e bërë atë një faktor me ndikim në formësimin e opinionit publik dhe pjesëmarrjen shoqërore.
"Për një kohë të gjatë, kemi parë se si Evropa është dominuar gjithnjë e më shumë nga shërbime digjitale që nuk janë të përkushtuara ndaj vlerave themelore demokratike të Evropës, por më tepër ndaj interesave ekonomike dhe gjeopolitike të vendeve të treta", deklaruan ministrat.
"Ne duhet të mbrojmë shëndetin mendor dhe zhvillimin e fëmijëve tanë, por gjithashtu të sigurojmë sovranitetin mbi të dhënat tona, komunikimin dhe formësimin e opinionit tonë demokratik", shtuan ata. Ministrat argumentuan se kufizimet që tashmë zbatohen për infrastrukturën kritike të telekomunikacionit duhet të shtrihen edhe te platformat digjitale si TikTok-u.
Si shembull, ata përmendën kërkesën e Gjermanisë për largimin e komponentëve të kompanive Huawei dhe ZTE nga rrjetet kryesore 5G deri në fund të vitit 2026 si pjesë e masave që synojnë kufizimin e ndikimit të huaj teknologjik.
Sipas ministrave, krijimi i pronësisë evropiane mbi operacionet rajonale të TikTok-ut dhe vendosja e infrastrukturës së tij kryesore teknologjike nën kontrollin evropian do të përbënte një hap të rëndësishëm drejt "sovranitetit të mirëfilltë digjital".
"Për këto arsye ne mbështesim një nismë për evropianizimin e TikTok-ut. Të gjitha shtetet evropiane janë të ftuara t'i bashkohen kësaj aleance", deklaruan ata.























