Vendimi përfundimtar në rastin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Dhomat e Specializuara në Hagë është shtyrë për më 20 korrik 2026.
Konfirmimin për shtyrjen e shpalljes së aktgjykimit e ka bërë për televizionin publik Lluka Mishetiq, avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
“Mund ta konfirmoj se kjo është e saktë”, ka deklaruar Mishetiq në përgjigjen e tij në pyetjen nëse raportimi për shtyrjen e vendimit për 20 korrik është i saktë.
Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara në Hagë, Angela Griep, është shprehur se 20 korriku nuk është data e shpalljes së aktgjykimit, por data që përcakton afatin e zgjatur.
“Po, Paneli Gjyqësor ka nxjerrë një vendim për zgjatjen e afatit për shpalljen e Aktgjykimit të Gjykimit edhe për 60 ditë të tjera, deri të hënën, më 20 korrik 2026, për shkak të kompleksitetit të çështjes. Kjo datë nuk është data e shpalljes së aktgjykimit, por vetëm data që përcakton afatin e zgjatur. Paneli shtoi se, nëse një zgjatje tjetër bëhet absolutisht e nevojshme, ai do të nxjerrë një urdhër për këtë në kohën e duhur”, ka thënë zëdhënësja e Gjykatës Speciale, Angela Griep.
Fillimisht, vendimi përfundimtar ishte paraparë të shpallej më 19 maj, brenda afateve të përcaktuara procedurale. Megjithatë, sipas Rregullores së Gjykatës Speciale, trupi gjykues shfrytëzoi mundësinë e shtyrjes së datës për shpalljen e verdiktit final për edhe 60 ditë.
Aktakuza ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi është konfirmuar më 26 tetor 2020, ndërsa është bërë publike më 5 nëntor, ditën kur ai hoqi dorë nga pozita e Presidentit të Kosovës dhe të njëjtën ditë u transferua për në Hagë.
Mbi ish-presidentin Thaçi si dhe ish-pjesëtarët tjerë të UÇK-së, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë rëndon akuza në të cilën thuhet se “së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit, të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes”.




















