Serbia do të ketë më shumë se 6,4 milionë votues të cilët do t'drejtohen kutive të votimit këtë të diel, më 25 tetor, për të zgjedhur parlamentin e ri në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme.
Sipas informacioneve në faqen zyrtare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve të Sërbisë (RIK), në zgjedhje do të mund të votojnë 6.450.523 zgjedhës. Zgjedhësit do të përcaktojnë anëtarët e rinj të Kuvendit Kombëtar të Serbisë me 250 vende.
Zgjedhjet do të zhvillohen në hijen e protestave studentore që kanë zgjatur për rreth dy vjet dhe të cilat pas humbjes së jetës të 16 personave si pasojë e shembjes së strehës prej betoni në stacionin hekurudhor në qytetin e Novi Sadit më 1 nëntor 2024.
Protestat studentore u bënë një nga çështjet kryesore të agjendës politike në vend. Zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme mbajnë veçorinë e të qenit zgjedhjet e para kombëtare që mbahen që nga protestat e nisura pas aksidentit në stacionin hekurudhor.
Demonstratat e nisura nga studentët e universitetit pas aksidentit në Novi Sad u shndërruan në një lëvizje mbarëkombëtare që përfshinte kërkesat për gjykimin e përgjegjësve, transparencë dhe zgjedhje të parakohshme.
Studentët që udhëhoqën protestat marrin pjesë në zgjedhje me emrin "Lista Studentore - Studentët Fitojnë". Në vendin e parë të listës ndodhet Ilija Srdanovic.
Hulumtimet e opinionit publik tregojnë se gara zgjedhore do të zhvillohet ndërmjet listës "Aleksandar Vuçiq - Serbia e Bashkuar" e udhëhequr nga SNS-ja, e cila ka qenë në pushtet që nga viti 2012, dhe Listës Studentore.
Analistët politikë serbë e vlerësojnë Listën Studentore, e cila pritet të tërheqë votuesit e rinj, si rivalen më të fortë dhe më të organizuar me të cilën pushteti është përballur në 14 vitet e fundit.
Aleksandar Vuçiq, i cili dha dorëheqjen nga detyra e presidentit dhe kandidoi nga lista e Partisë Përparimtare Serbe (SNS), nënshkroi vendimin për shpërndarjen e parlamentit në shtator, duke nisur kështu procesin e zgjedhjeve të parakohshme.
- Në zgjedhje do të garojnë 18 lista
RIK-u shpalli 19 lista për të marrë pjesë në zgjedhje. Me tërheqjen e mëvonshme të njërës prej listave, në fletën e votimit të bashkuar ndodhen 18 lista. Sipas deklaratës së RIK-ut të datës 12 tetor, fletët e votimit u shtypën duke u bazuar në numrin e votuesve prej 6.450.523.
Në vendin e parë në fletën e votimit ndodhet lista "Aleksandar Vuçiq - Serbia e Bashkuar" e udhëhequr nga SNS-ja në pushtet. Në vendin e dytë ndodhet lista "Ivica Daçiq - Faktori i Stabilitetit", e formuar nga Partia Socialiste e Serbisë (SPS), Serbia e Bashkuar, Partia Socialdemokrate e Serbisë dhe Të Gjelbrit e Serbisë.
Ndërsa në vendin e tretë ndodhet "Lista Studentore - Studentët Fitojnë". Lista e mbështetur nga lëvizja studentore spikat si një nga aktorët e rëndësishëm zgjedhorë kundër pushtetit.
Në zgjedhje do të garojnë gjithashtu lista të tilla si "Serbia Evropiane: Marinika Tepic, Zdravko Ponos", "E Djathta Autentike - Dr. Milos Jovanovic - DSS e Re - Monarkistët", "Bogoljub Karic - Lëvizja Fuqia e Serbisë" dhe "Vladimir Gajic - Alternativa për Serbinë".
Po ashtu 9 nga listat marrin pjesë në zgjedhje në statusin e pakicave kombëtare. Ndër këto lista përfshihen edhe lista "Rasim Ljajic - SDP/CDP Humanitare" e krijuar nga Partia Demokratike e Sanxhakut (SDP) dhe Partia Demokratike e Malit të Zi, lista "Lëvizja e Bashkimit" e Partisë së Drejtësisë dhe Pajtimit (SPP) e udhëhequr nga Usame Zukorlic, lista "Rojet e Sanxhakut" e Partisë së Veprimit Demokratik të Sanxhakut (SDA), Bashkimi i Hungarezëve të Vojvodinës dhe Koalicioni Shqiptar.
Deputetët në Serbi zgjidhen sipas sistemit të përfaqësimit proporcional me procedurë të listës së mbyllur në një njësi të vetme zgjedhore. Pragu zgjedhor zbatohet në masën 3 për qind, ndërsa listat e pakicave kombëtare konsiderohen në kuadër të përjashtimit nga ky prag. Për të fituar shumicën në parlament kërkohen 126 vende.
Sipas anketave, zgjedhjet do të zhvillohen mes Vuçiq dhe Listës Studentore
Një nga zhvillimet që spikati në zgjedhje është dorëheqja e Aleksandar Vuçiq nga detyra e presidentit.
Vuçiq, i cili ndodhet në krye të listës të udhëhequr nga SNS-ja në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, gjatë procesit të fushatës tha se do t'i pranojë rezultatet e zgjedhjeve dhe se do t'i urojë rivalët e tij në rast të fitores së tyre.
Në hulumtimet e opinionit publik të publikuara para zgjedhjeve spikasin lista "Serbia e Bashkuar" e pushtetit dhe "Lista Studentore" e mbështetur nga studentët, megjithatë ekzistojnë dallime të dukshme midis rezultateve të kompanive kërkimore.
Ndërsa në anketat e fundit të publikuara, u deklarua se përqindjet e "Serbisë së Bashkuar" ku Vuçiq është kandidat për kryeministër dhe e "Listës Studentore" janë të afërta me njëra-tjetrën.
Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejta Themelore e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE/ODIHR) caktoi një mision në Serbi për të vëzhguar zgjedhjet.
Gjithashtu, vëzhgues nga shumë vende dhe organizata ndërkombëtare kanë mbërritur në Serbi për të ndjekur procesin zgjedhor.
- Kutitë e votimit do të hapen në orën 07:00 me kohën lokale
Sipas të dhënave të shpallura nga RIK-u, në zgjedhje do të mund të votojnë 6.450.523 zgjedhës. Kjo shifër është më e ulët në krahasim me zgjedhjet e fundit parlamentare të dhjetorit 2023.
Procesi i votimit do të nisë të dielën, më 25 tetor, në orën 07:00 me kohën lokale dhe do të përfundojë në orën 20:00. Sipas deklaratës së RIK-ut, do të votohet në gjithsej 8.392 qendra votimi në mbarë vendin dhe jashtë vendit.
Për të votuar jashtë vendit janë regjistruar 102.147 votues. Qendra më e madhe e votimit jashtë Sërbisë u krijua në Bosnjë e Hercegovinë me 28 qendra votimi.
Një nga çështjet më të diskutuara në opinionin publik serb në kuadër të zgjedhjeve ishin orët gjatë të cilave qendrat e votimit jashtë vendit do të mbeten të hapura për procesin e votimit. Me vendimin e RIK-ut të marrë më 5 tetor, u vendos që qendrat e votimit jashtë vendit të qëndrojnë të hapura gjithashtu sipas orës së Evropës Qendrore nga ora 07:00 deri në 20:00. Për këtë arsye, disa nga zgjedhësit në Amerikë dhe Oqeani do të duhet të votojnë gjatë orëve të natës me kohën e tyre lokale.
Në vlerësimet e përfshira në shtypin serb, u kritikua fakti se numri i qendrave të reja të votimit mbeti i kufizuar përkundër rritjes së numrit të zgjedhësve të regjistruar për të votuar jashtë vendit.




















