| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
ShBA-ja ratifikon huanë 302 milionë dollarëshe për modernizimin e ushtrisë shqiptare
Fondet do të përdoren për modernizimin e Forcave të Armatosura dhe blerjen e kapaciteteve kryesore ushtarake me origjinë amerikane. Marrëveshja synon edhe forcimin e bashkëpunimit strategjik mes Tiranës dhe Uashingtonit në fushën e sigurisë.
ShBA-ja ratifikon huanë 302 milionë dollarëshe për modernizimin e ushtrisë shqiptare
ShBA-ja ratifikon huanë 302 milionë dollarëshe për modernizimin e ushtrisë shqiptare

Departamenti amerikan i Shtetit ka njoftuar ratifikimin e marrëveshjes së huasë prej 302 milionë dollarësh për Shqipërinë, në Kuadër të Programit Foreign Military Financing (FMF).

Fondet do të përdoren për modernizimin e Forcave të Armatosura dhe blerjen e kapaciteteve kryesore ushtarake me origjinë amerikane. Njëkohësisht, marrëveshja synon edhe forcimin e bashkëpunimit strategjik mes Tiranës dhe Uashingtonit në fushën e sigurisë.

DASh-i me anë të një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare se kjo marrëveshje do ta ndihmojë Shqipërinë në përmbushjen e Angazhimit të Mbrojtjes së Hagës, që parashikon rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen në nivelin 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035.

Sipas DASh-it, kredia do të kontribuojë jo vetëm në modernizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, përmes blerjes së kapaciteteve kryesore me origjinë nga Shtetet e Bashkuara,  por edhe në forcimin e aftësive mbrojtëse të Evropës.

Në njoftim vlerësohet bashkëpunimi i Shqipërisë me ShBA-në për çështjet kryesore të politikës së jashtme dhe roli i saj si aleate e NATO-s.

“Si aleate e NATO-s, Shqipëria është lidhur ngushtë me Shtetet e Bashkuara në çështje kritike të politikës së jashtme, duke përfshirë edhe rolin e anëtares themeluese të Bordit të Paqes të Presidentit Trump”, nënvizohet në njoftimin zyrtar të DASh-it.

Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Ermal Nufi, e cilësoi ratifikimin si një “votë besimi strategjike” të ShBA-së ndaj Shqipërisë dhe një hap historik në modernizimin e mbrojtjes së vendit.

“Mirënjohje Shteteve të Bashkuara të Amerikës për partneritetin e palëkundur strategjik dhe mbështetjen e vazhdueshme në ndërtimin e një mbrojtjeje më të fortë për Shqipërinë, rajonin e më gjerë.  Kjo mbështetje do të përshpejtojë modernizimin e kapaciteteve tona ushtarake, do të rrisë gatishmërinë operacionale dhe do të forcojë kontributin e Shqipërisë për sigurinë kolektive të Aleancës”, deklaron ministri Nufi.

Marrëveshja u dekretua më 30 korrik nga presidenti Bajram Begaj, i cili dha pëlqimin që ligji të hynte menjëherë në fuqi.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë