Në Tiranë është nënshkruar marrëveshja zyrtare me Bordin e Paqes për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza.
Në një njoftim nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë thuhet se marrëveshja është nënshkruar nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Gjenerallejtënant Arben Kingji, dhe Komandanti i ISF-së, Gjeneralmajor Jasper Jeffers.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, dhe ambasadori i ShBA-së në Tiranë, Eric Wendt.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale në lidhje me këtë marrëveshje, ministri Nufi është shprehur: "Si anëtare themeluese e Bordit të Paqes, Shqipëria riafirmon angazhimin e saj për të kontribuar në përpjekjet ndërkombëtare për vendosjen e paqes, garantimin e sigurisë dhe krijimin e kushteve për një stabilitet të qëndrueshëm në Gaza".
Më 22 janar të vitit 2026, Kuvendi i Shqipërisë miratoi Projektligjin për "ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”.
Më 24 shtator, Kuvendi i Shqipërisë miratoi projektligjin "Për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Shqipërisë në operacionin ushtarak të Forcës Ndërkombëtare të Stabilitetit në Gaza", që e përcaktonte numrin e personelit shqiptar që do të marrë pjesë në këtë operacion.
Më 21 tetor, Qeveria e Shqipëria ka miratuar në parim marrëveshjen ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bordit të Paqes, në lidhje me pjesëmarrjen në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza.





















