Arabia Saudite pezulloi trafikun e automjeteve të martën herët në rrugën “Mbreti Fahd” që lidh Mbretërinë me Bahrejnin, duke përmendur masa paraprake.
Siç transmeton Agjencia Anadolli (AA), autoriteti i rrugës “Mbreti Fahd” tha në një deklaratë se pezullimi ishte “ masë paraprake” pas alarmeve të lëshuara në orët e fundit nga Platforma Kombëtare e Paralajmërimit të Hershëm në Provincën Lindore, ku ndodhet ura.
Platforma Kombëtare e Paralajmërimit të Hershëm është një sistem elektronik i përdorur për të lëshuar alarme për banorët gjatë emergjencave të sigurisë ose të motit.
Që nga ora 05:30, autoritetet saudite nuk kishin lëshuar përditësim se kur do të rifillonte trafiku. Më herët gjatë ditës, Ministria e Mbrojtjes së Arabisë Saudite tha se ka kapur dhe shkatërruar 7 raketa balistike të lëshuara drejt Provincës Lindore të vendit.
“Mbetjet e raketave ranë pranë objekteve energjetike dhe vlerësimet e dëmeve janë duke u zhvilluar”, sqaroi Ministria.
Përshkallëzimet rajonale kanë vazhduar që kur Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nisën ofensivën e përbashkët kundër Iranit më 28 shkurt, duke vrarë më shumë se 1.400 njerëz deri më sot, përfshirë ish-liderin suprem, Ali Khamenei.
Irani është hakmarrë me sulme me dronë dhe raketa që synojnë Izraelin, Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë asete ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima e dëme në infrastrukturë, si dhe çrregullime në tregjet e aviacionin global.




















