Spanja merr masa për të legalizuar mbi 500 mijë emigrantë pa dokumente
“Aplikimet pritet të hapen në fillim të prillit”, thotë ministrja spanjolle për Migracionin, Elma Saiz.
Spanja ka marrë masa për të legalizuar mbi 500 mijë emigrantë pa dokumente.
Duke e quajtur këtë “një ditë historike”, ministrja spanjolle për Migracionin, Elma Saiz, tha se qeveria po forcon “një model migrimi të bazuar në të drejtat e njeriut dhe të pajtueshëm me rritjen ekonomike”.
Ajo tha se kabineti ka autorizuar hartimin e një dekreti mbretëror që do t’u lejojë migrantëve që kanë mbërritur në Spanjë para 31 dhjetorit 2025 dhe që mund të dëshmojnë të paktën pesë muaj qëndrim, të përfitojnë nga procesi i legalizimit.
“Sipas reformave në rregulloret e imigracionit të Spanjës, migrantët do të lejohen të punojnë që nga dita e parë që miratohet kërkesa e tyre”, tha Saiz.
Aplikimet pritet të hapen në fillim të prillit dhe të mbeten të disponueshme deri në qershor, shtoi ajo.
Udhëheqësja e Podemos, Ione Belarra, tha se nga legalizimi mund të përfitojnë midis 500 mijë dhe 800 mijë njerëz. “Këta janë njerëz që tashmë jetojnë këtu, por që punojnë pa të drejta”, tha ajo në një video të postuar në rrjetet sociale, duke e përshkruar këtë veprim si një nga përparimet më të mëdha në të drejtat e punës në vite.
Vendimi i Madridit vjen në një kohë kur një numër në rritje i vendeve të BE-së po ndjekin masa më të rrepta kundër migrantëve të parregullt.
Spanja e ka shënuar rritjen ekonomike më të shpejtë në Eurozonë gjatë dy viteve të fundit, duke e theksuar rëndësinë e kontributit të fuqisë punëtore migrante në zhvillimin ekonomik.