| Albanian
BOTA
3 minuta leximi
ShBA-ja shqyrton zhvendosjen e trupave nga disa aleatë të NATO-s
Forcat amerikane pritet të zhvendosen nga vendet që konsiderohen si jo mbështetëse drejt atyre që ofruan mbështetje më të fortë, sipas mediave amerikane.
ShBA-ja shqyrton zhvendosjen e trupave nga disa aleatë të NATO-s
ShBA-ja shqyrton zhvendosjen e trupave nga disa aleatë të NATO-s / AA
16 orë më parë

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump po shqyrton mundësinë e ripozicionimit të trupave amerikane larg disa aleatëve të NATO-s që i konsideron si jo mbështetës gjatë luftës me Iranin, raportoi "ABC News".

ShBA-ja po vlerëson plane për të reduktuar ose zhvendosur praninë e saj ushtarake në disa shtete anëtare të NATO-s që u panë si të ngadalta ose të pavullnetshme për të mbështetur operacionet e saj gjatë konfliktit të fundit të armatosur me Iranin, tha një zyrtar i administratës amerikane, sipas raportit të publikuar të enjten.

Zyrtari tha se propozimi do të përfshinte zhvendosjen e forcave amerikane nga vendet që konsiderohen më pak mbështetëse drejt atyre që ofruan ndihmë më të madhe gjatë konfliktit, shtoi raporti. Mbetet e paqartë se sa të avancuara janë diskutimet ose cilat vende specifike mund të preken nëse plani zbatohet.

Shqyrtimi vjen pas kritikave nga zyrtarë të lartë amerikanë mbi kufizimet në përdorimin e bazave të përbashkëta ushtarake në Evropë gjatë konfliktit. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, vuri në pikëpyetje arsyetimin për mbajtjen e trupave në vendet aleate nëse qasja operacionale është e kufizuar.

Çështja e mbështetjes së aleatëve u ngrit gjithashtu nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i cili pranoi se disa shtete anëtare fillimisht reaguan ngadalë, pjesërisht për shkak të natyrës së papritur të luftës. Megjithatë, ai theksoi se aleatët evropianë në fund luajtën një rol kyç në mundësimin e projektimit të fuqisë amerikane.

Rutte theksoi gjithashtu vlerën më të gjerë strategjike të NATO-s, duke e përshkruar aleancën si thelbësore jo vetëm për sigurinë evropiane, por edhe për mbrojtjen e ShBA-së.

"Dhe NATO është aty, sigurisht, për të mbrojtur evropianët, por edhe për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara", tha ai.

Trumpi ka shprehur vazhdimisht pakënaqësi ndaj reagimit të NATO-s ndaj konfliktit me Iranin. Në një postim në Truth Social pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, të mërkurën, ai shkroi: "NATO nuk ishte aty kur kishim nevojë për ta dhe nuk do të jetë aty nëse do të kemi sërish nevojë për ta".

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha më herët se Trumpi beson se NATO "u testua dhe dështoi" gjatë konfliktit. "Është mjaft e trishtueshme që NATO i ktheu shpinën popullit amerikan gjatë gjashtë javëve të fundit" tha ajo, "kur janë pikërisht amerikanët ata që kanë financuar mbrojtjen e tyre".

Përplasjet në rajon u përshkallëzuan pasi ShBA-ja dhe Izraeli më 28 shkurt nisën sulme të përbashkëta ndaj Iranit, të cilat lanë mijëra të vrarë dhe të plagosur. Të martën, Washingtoni dhe Teherani njoftuan një armëpushim dyjavor me synimin për të hapur rrugën drejt një marrëveshjeje përfundimtare për t'i dhënë fund luftës.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë