| Albanian
RAJONI
3 minuta leximi
Vilson Skuka, ish-polici që iu rikthye pasionit për artizanatin
Vilson Skuka, që prej vitit 2017 punon si artizan në punishten e tij në Tiranë ku prodhon disa produkte, duke filluar që nga rripat e orëve, portofolat, çantat, rripat e mesit dhe produkte të tjera sipas kërkesave të klientëve.
Vilson Skuka, ish-polici që iu rikthye pasionit për artizanatin
Vilson Skuka, ish-polici që iu rikthye pasionit për artizanatin / AA
10 orë më parë

Ish-punonjës i Policisë së Shqipërisë, Vilson Skuka, i cili ka shërbyer disa vite në polici, la uniformën për të ndjekur pasionin e tij për prodhimin e punimeve artizanale.

Pas përfundimit të studimeve në Akademinë e Sigurisë, 31-vjeçari prej shtatë vitesh ka punuar fillimisht në Policinë e Shqipërisë, ku ka shërbyer me gradën inspektor në tre qarqe, në Tiranë, Shkodër dhe Dibër, por njëkohësisht ai ndiqte edhe pasionin e tij për punimet artizanale.

Për Anadolu, Skuka tregon se si artizan punon që prej vitit 2017 dhe në punishten e tij prodhon produkte të ndryshme, duke filluar që nga rripat e orëve, portofolat, çantat, rripat e mesit dhe produkte të tjera sipas kërkesave të klientëve.

"Ka qenë një vendim shumë i vështirë. Të dyja punët unë i bëja me shumë dëshirë, por më duhej të zgjidhja lirinë më shumë për të krijuar dhe për të qenë vetvetja në atë që bëj më mirë. Duke qenë se pasioni është ai që mbizotëron u detyrova të lija policinë dhe të vazhdoj punën që po bëj tani", tha ai.

- Përdor disa lloje lëkurash, përfshirë të gjarprit dhe krokodilit

Dita e Vilsonit pothuajse kalon në punishten e tij në Tiranë, ku i riu punon pa ndërprerë për të krijuar produktet artizanale që porositen nga klientët, por edhe të tjera.

Skuka tregon se lëkurat që ai përdor tek punimet e tij artizanale dhe të përgatitura me dorë janë të ndryshme.

"Te portofolat në përgjithësi unë përdor lëkurë keci, është më estetike, më e hollë dhe duket më bukur. Tek rripat e orëve mund të përdoret lëkurë qengji, keci, pothuajse të gjitha llojet e lëkurave. Tek çantat në përgjithësi përdoret lëkura e viçit. Pastaj pjesa tjetër ngelet në varësi të kërkesës që ka klienti. Nëse do diçka luks mund të përdorim lëkurë gjarpri, lëkurë krokodili, janë shumë variante të ndryshme lëkurash", tha ai.

- Çmimet e produkteve nga 15 euro deri në mbi 3 mijë euro

Çmimet e produkteve që përgatit Vilsoni janë të ndryshme, në varësi të llojit të lëkurës dhe madhësisë, ndërkohë arrijnë edhe mbi 3 mijë euro.

"Çmimet janë të ndryshme, fillojnë nga 15 euro deri në mbi 3 mijë euro. Produktet që janë mbi 3 mijë euro janë me lëkurë krokodili, lëkurë gjarpri, varet nga madhësia, gjithmonë në varësi të produktit", tha Skuka.

Skuka thekson se klientët e tij kryesisht janë shqiptarë, por shton se ka filluar të zgjerohet pak nga pak edhe në Evropë, duke filluar me vendet që rrethojnë Shqipërinë, por edhe në Amerikë. "Po mendojmë që të zgjerohemi, të bëhemi pse jo një markë që njihet në të gjithë botën", u shpreh Skuka.

"Për të punuar këtu (në punishte) duhet shumë pasion, pasi çdo gjë bëhet me dorë dhe çdo gjë bëhet me përkushtimin më të madh. Duke qenë se tek unë mbizotëron pasioni për atë që bëj dhe në fund të ditës kur një produkt mbyllet vjen klienti e merr dhe ngelet shumë i kënaqur është një vlerësim shumë i madh për mua.  Pothuajse gjithë dita ime është tek punishtja", tha ai.

Skuka theksoi së dëshiron që në të ardhmen të zgjerojë punishten e tij, duke përfshirë edhe prodhimin e këpucëve prej lëkure apo aksesorëve të ndryshëm.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë