Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Kroacisë ka njoftuar se nga data 23 shtator 2026 do të fillojë pranimi i kërkesave për lëshimin e vizave afatgjata për shoferët e autobusëve dhe automjeteve të transportit të mallrave, shtetas të vendeve të treta të cilëve nuk u nevojitet vizë për të hyrë në Kroaci.
Pas plotësimit të kërkesës online nëpërmjet platformës për lëshimin e vizave dhe rezervimin e takimeve, nga data 23 shtator kërkesa do të duhet të dorëzohet fizikisht në Ambasadën e Kroacisë në Sarajevë ose në ndonjë nga konsullatat e përgjithshme apo konsullatat e Kroacisë në Bosnjë e Hercegovinë, në përputhje me juridiksionin e tyre konsullor.
Në periudhën fillestare, derisa sistemi të përshtatet plotësisht, do të pranohen maksimumi 15 kërkesa në ditë për çdo vendndodhje, pas së cilës numri i kërkesave do të rritet gradualisht.
Kërkesa për vizë mund të dorëzohet më së shpejti dy muaj, dhe më së voni 30 ditë para fillimit të planifikuar të transportit rrugor të mallrave ose pasagjerëve. Përpunimi i kërkesës mund të zgjasë deri në 45 ditë.
Viza afatgjatë e tipit D lejon hyrjen në Kroaci ekskluzivisht për qëllime transporti mallrash dhe pasagjerësh. Në bazë të kësaj vize, shoferët nuk mund të hyjnë në territorin e vendeve të tjera anëtare të hapësirës Shengen.
Në rastin e transportit të pasagjerëve ose mallrave drejt vendeve të tjera anëtare të Shengenit, përkatësisht tranzitit nëpër Kroaci, shoferët do të regjistrohen në sistemin e hyrjeve dhe daljeve (Entry/Exit System) të policisë kufitare kroate. Në këtë sistem do të krijohet një dosje dhe do të llogariten ditët e qëndrimit në hapësirën Shengen, të cilat mund të jenë maksimumi 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh. E njëjta rregull zbatohet edhe në rastin e vizitave private.
Lista e detajuar e dokumentacionit që duhet të bashkëngjitet me kërkesën do të publikohet në fillim të javës së ardhshme në faqet e internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë dhe të Ambasadës së Kroacisë në Sarajevë, ka theksuar Ministria.























