| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Protestat për Zvërnecin hyjnë në ditën e nëntë
Me moton "Shqipëria nuk është në shitje", qytetarët shqiptarë kanë mbushur rrugët e Tiranës për të kundërshtuar ndërtimet e projektuara në zona të mbrojtura, ndërkohë që bëhet thirrje edhe për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Protestat për Zvërnecin hyjnë në ditën e nëntë
Protestat për Zvërnecin hyjnë në ditën e nëntë / AA

Në Shqipëri vazhdojnë protestat mbi çështjen e projektit turistik në zonën e Zvërnecit në Qarkun e Vlorës dhe kundër ndërtimeve në zona të mbrojtura, ndërkohë kërkohet edhe dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.

Protesta me moton "Shqipëria nuk është në shitje", është mbajtur sërish në Tiranë për herë të 9-të, duke mbledhur mijëra qytetarë të moshave të ndryshme.

Protestuesit janë mbledhur fillimisht në Sheshin “Skënderbej”, për të vijuar drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe më pas para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë.

Gjatë protestës është bërë thirrje për anulimin e projektit në Zvërnec dhe për dorëheqjen e kryeministrit Rama.

Në lidhje me këtë çështje, në ditët e fundit janë organizuar protesta të ngjashme edhe në qytete të tjera të vendit, ndërkohë janë mbajtur protesta edhe nga shqiptarët që jetojnë në disa vende të Evropës.

Gjatë një proteste më 30 maj në zonën e Zvërnecit u shënuan incidente, ku sipas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, disa roje të një kompanie private të sigurisë tërhoqën zvarrë një qytetar, duke shkaktuar më pas fillimin e protestave në Tiranë.

Në ditët e fundit në vend ka pasur pretendime se projekti lidhet me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan, Donald Trump.

Në lidhje me çështjen, kryeministri Rama ka deklaruar se projekti në Zvërnec po ndjek të gjitha procedurat ligjore dhe mjedisore, duke shtuar se deri më tani nuk ka pasur një projekt përfundimtar apo studim të plotë të ndikimit në mjedis.

Gjithashtu, në media është raportuar se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK) ka filluar hetimet për çështjen e Zvërnecit, ndërsa prokuroria ende nuk ka publikuar një njoftim zyrtar.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë