Kryeministri Edi Rama deklaroi dje nga Brukseli, gjatë Konferencës IX Ndërqeveritare për mbylljen e tre kapitujve të parë të negociatave me BE-në, se ligji për Investimet Strategjike do të shfuqizohet, pasi e ka përmbushur misionin e tij.
“Ne duhet ta shfuqizojmë ligjin për Investimet Strategjike, për të cilin kemi rënë dakord prej kohësh, pasi e ka përmbushur misionin e tij. Po punojmë ngushtë edhe me Komisionin për atë që do ta zëvendësojë”, deklaroi Rama.
Lidhur me ligjin për Zonat e Mbrojtura, kryeministri u shpreh se nuk ka asgjë për t’u anuluar dhe se do të përputhet me kriteret e BE-së. “Ndonëse Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë që kërkon një gjë të tillë, ne duhet ta trajtojmë ligjin në përputhje me të gjitha standardet evropiane dhe të ndryshojmë çdo dispozitë që nuk është në përputhje me standardet e BE-së”, tha ai.
Ndërkohë, Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, u shpreh se Shqipëria duhet t’i shfuqizojë gjithashtu ndryshimet e vitit 2024 në ligjin për Zonat e Mbrojtura, pasi këto hapa janë të nevojshëm për mbylljen e Kapitullit 27 për mjedisin dhe ndryshimet klimatike.
“Sa i përket projektit konkret, mbrojtja e mjedisit është pjesë e kritereve për anëtarësim në BE. Ka një rëndësi të madhe. Aktualisht ekzistojnë një sërë ligjesh që duhet të ndryshohen për t'i përmbushur këto kritere”, tha Kos.
Komisionerja tha se vendimi për shfuqizimin e ndryshimeve të bëra në vitin 2024, si dhe për Investimet Strategjike ka qenë marrë që para nisjes së protestave.
“Që para nisjes së protestave, ne patëm rënë dakord me Shqipërinë që gjatë këtij viti të shfuqizoheshin ndryshimet e vitit 2024 në ligjin për Zonat e Mbrojtura, si dhe ligji për Investimet Strategjike”, njoftoi ajo.
Kos inkurajoi autoritetet shqiptare që këto ndryshime të vihen në zbatim me objektivin për të mbyllur Kapitullin 27, që lidhet me mjedisin dhe ndryshimet klimatike.





















