Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh), Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi se shpërthimi i Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos dhe Ugandë paraqet rrezik të lartë në nivel kombëtar dhe rajonal, por rrezik të ulët në nivel global.
Duke folur në një konferencë për media, Tedros tha se OBSh-ja e shpalli shpërthimin një emergjencë të shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar (PHEIC) më herët gjatë javës.
“OBSh-ja vlerëson se rreziku i epidemisë është i lartë në nivel kombëtar dhe rajonal, ndërsa i ulët në nivel global”, tha ai.
Tedros theksoi se kjo ishte hera e parë që një drejtor i përgjithshëm i OBSh-së shpall një PHEIC përpara mbledhjes së komitetit të emergjencës sipas Rregulloreve ndërkombëtare të Shëndetit.
Ai tha se vendimi u mor pas konsultimeve me ministrat e Shëndetësisë të Kongos dhe Ugandës dhe kishte për qëllim mobilizimin e reagimit urgjent ndërkombëtar.
Sipas OBSh-së, deri tani janë konfirmuar 51 raste me Ebola në Kongo, veçanërisht në provincat Ituri dhe Kivu i Veriut, përfshirë qytetet Bunia dhe Goma.
Uganda ka raportuar gjithashtu dy raste të konfirmuara në kryeqytetin Kampala, përfshirë një viktimë, tek persona që kishin udhëtuar nga Kongoja.
Tedros tha gjithashtu se një shtetas amerikan që punonte në Kongo ka rezultuar pozitiv me Ebola dhe është transferuar në Gjermani.
Kreu i OBSh-së paralajmëroi se përmasat reale të shpërthimit mund të jenë shumë më të mëdha, duke përmendur afro 600 raste të dyshuara dhe 139 vdekje të dyshuara.
“Presim që këto shifra të vazhdojnë të rriten, duke pasur parasysh kohën gjatë së cilës virusi ka qarkulluar para se shpërthimi të zbulohej”, tha ai.
Tedros tha se disa faktorë po shtojnë shqetësimet për përhapje të mëtejshme, përfshirë infektimet mes punonjësve shëndetësorë, zgjerimin e transmetimit në zonat urbane dhe lëvizjen e madhe të popullsisë në lindje të Kongos.
Ai përmendi gjithashtu përkeqësimin e situatës së sigurisë në provincën Ituri, ku konflikti është intensifikuar që nga fundi i vitit 2025 dhe mbi 100 mijë njerëz janë zhvendosur së fundmi.
“Zona është gjithashtu rajon minerar, me lëvizje të lartë të popullsisë, gjë që rrit rrezikun e përhapjes së mëtejshme”, tha ai.
Tedros tha se shpërthimi është shkaktuar nga varianti Bundibugyo i virusit Ebola, për të cilin nuk ekzistojnë vaksina apo trajtime të miratuara.
Ai falënderoi autoritetet ugandeze për shtyrjen e festimeve vjetore të Ditës së Martirëve, një ngjarje që mund të tërhiqte deri në 2 milionë njerëz, për shkak të shpërthimit.
OBSh-ja ka dërguar personel, furnizime dhe fonde emergjente për ta mbështetur reagimin ndaj shpërthimit, ndërsa Tedros autorizoi edhe 3,4 milionë dollarë shtesë nga fondi emergjent i agjencisë, duke e çuar mbështetjen totale në 3,9 milionë dollarë.


















