| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Ministrja Gërvalla diskuton në Bruksel me Kyuchyuk për zhvillimet në drejtësi
Gërvalla theksoi se diskutimi ka përfshirë procesin e vetingut, funksionalizimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Ministrja Gërvalla diskuton në Bruksel me Kyuchyuk për zhvillimet në drejtësi
Ministrja Gërvalla diskuton në Bruksel me Kyuchyuk për zhvillimet në drejtësi / AA

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Donika Gërvalla, ka theksuar rëndësinë e forcimit të sundimit të ligjit dhe reformave në drejtësi gjatë një takimi në Bruksel me kryesuesin e Komisionit për Çështje Juridike në Parlamentin Evropian, Ilhan Kyuchyuk.

Gërvalla bëri të ditur se në takim janë diskutuar zhvillimet në fushën e drejtësisë dhe sfidat që lidhen me forcimin e sundimit të ligjit, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sipas saj, vëmendje e veçantë i është kushtuar çështjeve që prekin integritetin dhe funksionalitetin e sistemit të drejtësisë.

Ajo theksoi se diskutimi ka përfshirë procesin e vetingut, funksionalizimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme si dhe paketën e pesë projektligjeve që synojnë konsolidimin e kornizës ligjore dhe institucionale.

Ministrja nënvizoi se reformat në drejtësi nuk janë opsion, por parakusht për një shtet funksional. Sipas saj, Kosova do t’i çojë përpara këto reforma me vendosmëri, përmes një sistemi që garanton drejtësi reale, lufton korrupsionin dhe krimin e organizuar në mënyrë efektive dhe e bën të pakthyeshme rrugën evropiane të vendit.

Gërvalla po qëndron për vizitë zyrtare në Bruksel me ftesë të ministres së Drejtësisë së Mbretërisë së Belgjikës, Annelies Verlinden. Në kuadër të takimit zyrtar mes dy ministreve, do të nënshkruhet edhe një marrëveshje ndërkombëtare.

Gjatë vizitës, ministrja Gërvalla do të zhvillojë gjithashtu takime me përfaqësues të institucioneve të drejtësisë dhe autoriteteve belge, me qëllim të forcimit të mëtejmë të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe shkëmbimit të praktikave të mira në fushën e sundimit të ligjit.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë