| Albanian
POLITIKË
2 minuta leximi
Inteligjenca amerikane beson se Irani e rindërtoi me shpejtësi bazën e industrisë ushtarake
Irani thuhet se po rikthen kapacitetet për prodhimin e armëve strategjike, si dhe po rindërton bazat raketore dhe sistemet e lëshimit të dëmtuara gjatë luftës me ShBA-në.
Inteligjenca amerikane beson se Irani e rindërtoi me shpejtësi bazën e industrisë ushtarake
Inteligjenca amerikane beson se Irani rindërtoi me shpejtësi bazën e industrisë ushtarake / AA

Inteligjenca amerikane vlerëson se Irani rifilloi pjesërisht prodhimin e dronëve gjatë armëpushimit gjashtëjavor me Uashingtonin, i cili nisi në fillim të prillit, duke sinjalizuar një rimëkëmbje të shpejtë të disa kapaciteteve ushtarake të dëmtuara nga sulmet amerikano-izraelite, raportoi të enjten CNN.

Sipas vlerësimeve të inteligjencës, ushtria iraniane po rindërtohet shumë më shpejt sesa ishte parashikuar, thuhet në raport, duke cituar zyrtarë amerikanë të inteligjencës.

Përpjekjet e përfshijnë rikthimin e bazave raketore, sistemeve të lëshimit dhe kapaciteteve prodhuese për armë strategjike që u dëmtuan ose u shkatërruan gjatë konfliktit.

Zyrtarët paralajmërojnë se kjo rimëkëmbje e shpejtë do të thotë se Irani mund të vazhdojë të përbëjë një kërcënim serioz për aleatët rajonalë të ShBA-së, nëse presidenti amerikan Donald Trump vendos të rifillojë operacionet ushtarake.

Vlerësimet kanë ngritur gjithashtu dyshime mbi shkallën reale të dëmtimit afatgjatë që sulmet amerikano-izraelite i shkaktuan forcave ushtarake iraniane.

Një zyrtar tha se disa analiza të inteligjencës tregojnë se Irani mund të rikthejë kapacitetet e sulmeve me dronë brenda gjashtë muajve.

“Iranianët i kanë tejkaluar të gjitha afatet që komuniteti i inteligjencës kishte parashikuar për rindërtimin e kapaciteteve të tyre”, tha zyrtari.

Sipas burimeve të cituara në raport, rimëkëmbja më e shpejtë se sa pritej po nxitet nga disa faktorë, përfshirë ndihmën e mundshme nga Rusia dhe Kina, si dhe mundësinë që sulmet amerikane dhe izraelite të kenë shkaktuar më pak dëme sesa ishte vlerësuar fillimisht.

Tensionet rajonale u përshkallëzuan pasi ShBA-ja dhe Izraeli nisën sulme kundër Iranit më 28 shkurt. Teherani u kundërpërgjigj me sulme ndaj Izraelit dhe aleatëve amerikanë në Gjirin Persik, si dhe me mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.

Më 8 prill hyri në fuqi një armëpushim i ndërmjetësuar nga Pakistani, por bisedimet e zhvilluara në Islamabad nuk arritën të prodhojnë një marrëveshje afatgjatë. Më vonë, Trump e zgjati armëpushimin pa afat, ndërsa vazhdoi bllokadën ndaj anijeve që lëvizin drejt ose nga portet iraniane përmes Ngushticës së Hormuzit.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë