Deputetët e Kuvendit të Kosovës, për shkak të mungesës së votave të mjaftueshme, kanë dështuar të zgjedhin presidentin e ri të vendit brenda afatit kushtetues.
Deputetët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, si dhe minoriteteve joserbe, ishin të vetmit që morën pjesë në seancë duke u mbledhur katër herë gjatë ditës, por 64 votat e tyre nuk mjaftuan për zgjedhjen e presidentit, ku duhen 2/3-tat e votave të 120 deputetëve të Kuvendit.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se Lëvizja Vetëvendosje disa herë u bëri ftesë deputetëve të partive opozitare nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), por ata refuzuan të merrnin pjesë në seanca.
Haxhiu gjatë seancës përsëriti se zgjedhjet e reja i kushtojnë buxhetit të vendit rreth 10 milionë euro dhe qytetarët nga ligjvënësit presin punë dhe jo bllokadë, ashtu siç po ndodh me çështjen e presidentit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një fjale në foltoren e Kuvendit, tha se mbështetja për Lëvizjen Vetëvendosje vetëm është rritur me kohën.
Kurti tha se opozita nuk mund ta zhbëjë vullnetin e popullit, por përpiqen që ky vullnet të mos marrë formë institucionale me bllokadat e tyre.
Në fjalën e tij, Kurti i shpalosi edhe një herë ofertat dhe përpjekjet që i ka bërë opozitës në mënyrë që vendi të mos shkojë në zgjedhje, por opozita i refuzoi ato.
Ditët në vijim pritet që ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, të shpallë datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, të cilat sipas Kushtetutës duhet të mbahen jo më larg se 45 ditë.
Çështja e presidentit është përmendur edhe më herët si çështje e cila mund të çojë vendin në zgjedhje, për shkak se për votimin e presidentit në Kosovë duhen 80 vota, numër i cili është i vështirë të arrihet nga një parti e vetme në Kosovë.






















