Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, tha herët të hënën se Irani po kërkon të arrijë një marrëveshje me Uashingtonin dhe shprehu besimin se negociatat në vazhdim do të sjellin një rezultat pozitiv.
Duke shkruar në platformën e tij Truth Social, Trumpi tha se Teherani “me të vërtetë dëshiron të arrijë një marrëveshje” dhe e përshkroi një marrëveshje të mundshme si diçka që do të ishte “e mirë për ShBA-në dhe ata që janë me ne”.
Ai kritikoi gjithashtu kundërshtarët politikë dhe disa anëtarë të partisë së tij, duke argumentuar se presioni publik dhe kërkesat kontradiktore e vështirësojnë procesin diplomatik.
Trump tha se bëhet “shumë më e vështirë” të negociohet kur figura politike kërkojnë vazhdimisht qasje të ndryshme, përfshirë thirrje për të vepruar më shpejt, më ngadalë, për ndërhyrje ushtarake ose për shmangien e saj.
Ai i cilësoi këto kritika si “zhurmë” dhe tha se ato po ndodhin në nivele të paprecedenta.
Presidenti u bëri thirrje vëzhguesve të tregojnë durim ndërsa bisedimet vazhdojnë.
“Thjesht rrini të qetë dhe relaksohuni, në fund gjithçka do të shkojë mirë. Gjithmonë ndodh kështu!”, tha Trump.
Tensionet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar që kur ShBA-ja dhe Izraeli nisën sulme ndaj Iranit në shkurt. Teherani u kundërpërgjigj me sulme ndaj Izraelit dhe aleatëve amerikanë në Gjirin Persik, si dhe me mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.
Një armëpushim hyri në fuqi më 8 prill përmes ndërmjetësimit të Pakistanit, por bisedimet e mëvonshme në Islamabad nuk arritën të prodhojnë një marrëveshje të qëndrueshme. Që atëherë, të dyja palët kanë vazhduar të shkëmbejnë propozime dhe kundërpropozime në përpjekje për të rifilluar bisedimet e drejtpërdrejta dhe për t’i dhënë fund konfliktit.




















