| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Zjarret në Francë zbulojnë 400 predha të Luftës së Dytë Botërore
Municionet u gjetën në Le Porge, një qytet i prekur rëndë nga zjarri që ende është aktiv në Gironde që nga 22 korriku, raportoi e përditshmja belge "Le Soir". Më shumë se 180 shtëpi u shkatërruan në qytet.
Zjarret në Francë zbulojnë 400 predha të Luftës së Dytë Botërore
Zjarret në Francë zbulojnë 400 predha të Luftës së Dytë Botërore

Rreth 400 predha dhe municione të tjera që datojnë nga Lufta e Dytë Botërore janë zbuluar pas zjarreve që përfshiu departamentin Gironde në Francën jugperëndimore, njoftuan sot mediat lokale. 

Municionet u gjetën në Le Porge, një qytet i prekur rëndë nga zjarri që ende është aktiv në Gironde që nga 22 korriku, raportoi e përditshmja belge "Le Soir". Më shumë se 180 shtëpi u shkatërruan në qytet.

Ekipet e asgjësimit të bombave punuan në zonë për disa ditë, duke lejuar të gjithë banorët të kthehen në shtëpitë e tyre të hënën. Shpërthimet e dëgjuara gjatë zjarrit fillimisht besohej se kishin ardhur nga bombola gazi, por autoritetet më vonë thanë se disa mund të ishin shkaktuar nga predha artilerie të ekspozuara ndaj nxehtësisë së fortë.

"Me kalimin e kohës, predhat bëhen më të brishta. Dhe me nxehtësinë gjithashtu", tha komandanti Thomas Mimiague, kreu i qendrës së asgjësimit të bombave në Bordeaux.

Ekipet fillimisht u përqendruan në mbledhjen e municioneve të shtrira në sipërfaqe, në mënyrë që banorët të mund të ktheheshin sa më shpejt që të ishte e mundur ndërsa predhat që besohet se mbeten nën tokë do të trajtohen më vonë.

Municionet e gjetura përfshijnë armë gjermane dhe franceze, kryesisht predha mortajash si dhe disa predha tankesh me eksploziv të lartë. "Ky nuk është një vend zyrtar depotizitimi. Ne nuk e dimë vërtet pse janë këtu. Mendojmë se ato janë braktisur disi", tha Mimiague.

Autoritetet thanë se predhat e gjetura do të transportohen në një vend ushtarak për asgjësim.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë