Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës ka kërkuar një dënim të vetëm prej 45 vitesh burgim për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Kryeprokurorja e ZPS-së, Kimberly West, në fjalën e saj përfundimtare theksoi se kërkesa për dënim nuk ka të bëjë me Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, por me përgjegjësinë individuale të secilit prej të akuzuarve. Sipas saj, Prokuroria kërkon shpalljen si fajtorë për të gjitha pikat e aktakuzës dhe vendosjen e një vendimi unik prej 45 vitesh burg, të bazuar në përfshirjen individuale të secilit në krimet e pretenduara.
“Ne kërkojmë dënimin e personave konkret dhe jo të një strukture. Krimet për të cilat ata akuzohen janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të rënda në natyrë dhe që nuk e kanë humbur peshën e tyre me kalimin e kohës”, deklaroi West.
Në parashtrimet e saj, prokurorja pretendoi se të akuzuarit janë përgjegjës për vrasjen e mbi 100 personave dhe për abuzimin e qindra të tjerëve gjatë viteve 1998-1999, në dhe rreth më shumë se 50 kampe ndalimi të UÇK-së.
Sipas saj, viktimat përfshinin persona të lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës, si dhe individë nga komunitetet rome dhe serbe.
West tha se këto veprime ishin pjesë e një përpjekjeje për të ushtruar kontroll në gjithë Kosovën, duke shënjestruar persona që konsideroheshin kundërshtarë ose që perceptoheshin si bashkëpunëtorë të forcave serbe, zyrtarë serbë apo individë që nuk mbështesnin synimet dhe metodat e UÇK-së dhe më pas të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës.
Duke iu referuar dëshmitarëve të mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, të cilët dëshmuan vitin e kaluar, West pretendoi se shtatë personalitetet ndërkombëtare nuk ishin të njohura me strukturën e UÇK-së.
Ajo tha se këta dëshmitarë kishin pasur informacion të kufizuar, nuk e flisnin gjuhën në atë periudhë dhe kishin pasur kontakte të pakta me aktorët kryesorë, pa njohuri mbi rregulloret, urdhrat dhe komunikatat e UÇK-së.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar gjithsej tetë orë kohë për parashtrimet përfundimtare. Në dy javët në vijim, fjalën përfundimtare do ta kenë edhe ekipet mbrojtëse dhe vetë të pandehurit, të cilët do t’i drejtohen për herë të fundit trupit gjykues.
Ish-krerët e UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi përballen me akuza që i kanë cilësuar si të pabazuara, ndërsa mbrojtja ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte një strukturë të organizuar komanduese.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill 2023, gati tre vjet pas konfirmimit të aktakuzës, ndërkohë që ata vazhdojnë të mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.





















