| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Haxhiu: Kosovës duhet t’i hapet rruga drejt negociatave për anëtarësim në BE
Haxhiu në takim me eurodeputetin Terras theksoi se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet të trajtohet pa vonesa të mëtejshme dhe se përparimi i vendit duhet të vlerësohet mbi bazën e meritave
Haxhiu: Kosovës duhet t’i hapet rruga drejt negociatave për anëtarësim në BE
Haxhiu: Kosovës duhet t’i hapet rruga drejt negociatave për anëtarësim në BE

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim eurodeputetin Riho Terras, raportues i përhershëm i Parlamentit Evropian për Kosovën.

Siç njofton Zyra e Presidentes, Haxhiu e falënderoi eurodeputetin Terras për angazhimin dhe mbështetjen e tij ndaj perspektivës evropiane të Kosovës.

Haxhiu theksoi se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet të trajtohet pa vonesa të mëtejshme dhe se përparimi i vendit duhet të vlerësohet mbi bazën e meritave.

Sipas U.D. Presidentes, Kosova nuk kërkon përjashtim nga kriteret, por një proces të drejtë, i cili do t’i hapte rrugën marrjes së statusit të vendit kandidat dhe fillimit të negociatave për anëtarësim.

Gjatë këtij takimi Haxhiu paraqiti përparimin e Kosovës në reformat evropiane, sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik, si dhe bashkëpunimin e ngushtë me institucionet e BE-së, derisa vuri në pah se orientimi euroatlantik i Kosovës është i qartë, i qëndrueshëm dhe gëzon mbështetje të gjerë qytetare.

Më pas, Haxhiu foli edhe për dialogun e Kosovës me Serbinë, çështjet e sigurisë dhe mungesën e përgjegjësisë për sulmin terrorist në Banjskë. Me këtë rast ajo theksoi se procesi evropian duhet të mbështetet në zbatimin e marrëveshjeve dhe në përgjegjësi të barabartë për të gjitha palët.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë