| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Zëvendëskryeministrja Gërvalla: Kosova duhet të jetë në Këshillin e Evropës
Ministrja Gërvalla tha se Kosova jo vetëm që i përmbush standardet e kërkuara, por edhe mishëron vlerat themelore të Këshillit të Evropës, andaj anëtarësimi i saj nuk duhet të vonohet më.
Zëvendëskryeministrja Gërvalla: Kosova duhet të jetë në Këshillin e Evropës
Zëvendëskryeministrja Gërvalla: Kosova duhet të jetë në Këshillin e Evropës / AA
4 orë më parë

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Drejtësisë në Kosovë, Donika Gërvalla, ka pritur në takim shefen e Zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë, Mary Ann Hennessey.

Siç njofton Zyra për Media e Ministrisë së Drejtësisë, gjatë këtij takimi, ministrja Gërvalla riafirmoi përkushtimin e palëkundur të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke theksuar se ky proces përfaqëson një domosdoshmëri që buron nga angazhimi i vazhdueshëm i vendit për sundimin e ligjit.

"Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës nuk është thjesht një aspiratë politike, por një domosdoshmëri që buron nga përkushtimi ynë i palëkundur dhe i dëshmuar ndaj sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut", tha ministrja Gërvalla.

Ajo tha se përkushtimi ndaj sundimit të ligjit po konkretizohet përmes reformave ligjore, dhe po ashtu sipas saj prioritet i pakompromis institucional mbetet edhe lufta kundër dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore.

"Ky përkushtim nuk mbetet në deklarata. Përmes funksionalizimit të Byrosë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, si instrument kyç në luftën kundër korrupsionit, shpëlarjes së parave dhe krimit të organizuar, garantohet se askush nuk guxon të jetë mbi ligjin si dhe përmes zbatimit të Strategjisë për Sundimin e Ligjit, që synon institucione më të forta dhe besim më të madh qytetar", tha Gërvalla.

Ajo tha se Kosova jo vetëm që i përmbush standardet e kërkuara, por edhe i mishëron vlerat themelore të Këshillit të Evropës, andaj anëtarësimi i saj nuk duhet të vonohet më.

"Republika e Kosovës jo vetëm që përmbush standardet e Këshillit të Evropës, por qëndron si dëshmi e gjallë e vlerave që kjo organizatë mbron. Për këtë arsye, vendi meritor i Republikës sonë në këtë organizatë nuk duhet të vonohet më", tha Gërvalla gjatë këtij takimi.

Kosova ka aplikuar për t'u bërë anëtare e Këshillit të Evropës nga muaji maj i vitit 2022. Këshilli i Evropës është organizata më e vjetër ndërqeveritare në Evropë që për qëllim kryesor ka sigurimin e bashkëpunimit dhe unitetit ndërmjet anëtarëve të saj në lëmin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit.