Rutte dhe Francken vlerësojnë industrinë e mbrojtjes së Türkiyes

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte dhe ministri i Mbrojtjes i Belgjikës, Theo Francken, theksuan forcën e industrisë mbrojtëse së Türkiyes dhe bënë thirrje për shmangien e qasjeve përjashtuese.

By
Rutte dhe Francken vlerësojnë industrinë e mbrojtjes së Türkiyes / Reuters

Në Ekspozitën dhe Konferencën Evropiane të Mbrojtjes (BEDEX) në Bruksel, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte dhe ministri i Mbrojtjes i Belgjikës, Theo Francken theksuan të enjten forcën e industrisë mbrojtëse të Türkiyes dhe bënë thirrje për shmangien e qasjeve përjashtuese si dhe inkurajuan aleatët të veprojnë së bashku shpejt dhe në një mënyrë të koordinuar.

Duke folur gjatë një sesioni në BEDEX së bashku me Francken, Rutte tha se ekspozita tregoi se baza industriale e mbrojtjes e Belgjikës është e fortë dhe vazhdon të rritet.

Duke iu drejtuar nevojave të sektorit të mbrojtjes, Rutte u bëri thirrje kompanive të jenë të përgatitura dhe të investojnë në zinxhirët e furnizimit.

"Ju lutemi të jeni gati. Kjo do të thotë që ne duhet të investojmë në zinxhirin tuaj të furnizimit. Investoni në anije shtesë, investoni në fabrika shtesë", tha ai.

Rutte gjithashtu vuri në dukje nevojën për veprim më të shpejtë, duke treguar për shterimin e shpejtë të rezervave ushtarake.

"E shihni sa shpejt mund t'i shpenzojmë rezervat tona. Shikoni Lindjen e Mesme. Shikoni Ukrainën. Dhe ne duhet t'i rimbushim", tha ai.

Duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit midis aleatëve, ai vuri në dukje se rreth 3.000 kompani mbrojtëse në Türkiye punojnë me partnerë në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.

Ai shtoi se trajtimi i ShBA-së si e ndarë nga Evropa është një qasje "e vjetër". "Ne me të vërtetë duhet ta bëjmë së bashku: ndërvarësi, shpejtësi dhe gatishmëri".

Thirrje për t’i shmangur qasjet përjashtuese

Francken gjithashtu nënvizoi rëndësinë e autonomisë strategjike, ndërsa paralajmëroi kundër përjashtimit të partnerëve kryesorë.

"Mendoj se autonomia strategjike është shumë e rëndësishme. Kjo është thelbësore. Por për mua, kjo nuk do të thotë që ne duhet të shtyjmë jashtë amerikanët ose kanadezët, ose turqit, ose njerëzit nga Norvegjia ose Mbretëria e Bashkuar", tha ai.

Francken tha se Bashkimi Evropian duhet të bëjë më shumë për të forcuar aftësitë e tij konvencionale të mbrojtjes dhe për t’i rritur shpenzimet e mbrojtjes.

Ndërsa Belgjika nuk ka kompani të mëdha mbrojtëse si Gjermania ose Franca, Francken tha se vendi ka një traditë shekullore të investimeve në industrinë e armëve dhe mbrojtjes.

Ai shtoi se është bërë përparim i rëndësishëm në sigurimin e financimit për sektorin.

"Tani mbrojtja është në modë. Industria e mbrojtjes është në modë", tha ministri belg, duke theksuar rëndësinë e organizimit të ekspozitave dhe forumeve ku sipërmarrësit dhe përfaqësuesit e industrisë mund të takohen dhe të ndërtojnë rrjete.

Sipas Francken, Belgjika aktualisht ka rreth 80 kompani mbrojtëse. "Dua që, brenda pesë vjetësh, ta dyfishoj atë. Nevojiten 160-200 kompani në Belgjikë brenda katër ose pesë vjetësh në industrinë e mbrojtjes. Dhe kjo është një sfidë, por ne po punojmë shumë mirë për këtë", theksoi ai.

Francken gjithashtu theksoi nevojën për kthime ekonomike nga shpenzimet e mbrojtjes.

"Nuk mund të nënshkruajmë thjesht një kontratë dhe të kemi të gjitha vendet e punës në Francë dhe të kemi të gjitha vendet e punës në Shtetet e Bashkuara. Nevojiten vende pune këtu. Janë shumë para. Janë paratë e taksapaguesve. Nuk janë paratë e mia... Pra, ne gjithashtu kemi nevojë për kthim ekonomik, dhe atë që mund ta kemi në industrinë tonë të mbrojtjes", tha ai.

BEDEX-i shfaq teknologjitë e mbrojtjes, zgjidhjet e sigurisë dhe pajisjet ushtarake, me kompani të shumta ndërkombëtare të mbrojtjes që prezantojnë produktet dhe sistemet e tyre.

Konferencat dhe panelet e mbajtura si pjesë e këtij eventi përqendrohen në transformimin në industrinë e mbrojtjes, teknologjitë në zhvillim, sigurinë e zinxhirit të furnizimit dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Zv.drejtori i Përgjithshëm i prodhuesit të madh turk të mbrojtjes Aselsan, Ozgur Taylan Sari, është planifikuar të flasë në një panel të titulluar "Transformimi i Peizazhit Global të Mbrojtjes Industriale".

Eventi treditor synon të krijojë mundësi të reja bashkëpunimi midis industrisë evropiane të mbrojtjes dhe kompanive ndërkombëtare, duke bashkuar përfaqësues të sektorit, zyrtarë publikë dhe ekspertë.