| Albanian
BOTA
3 minuta leximi
Kremlini: Putin-Trump, takim në Hungari mund të zhvillohet brenda dy javësh
Zëdhënësi thotë se vendimi për ta zgjedhur Hungarinë si vendtakim është marrë në mënyrë të ndërsjellë, duke shtuar se logjistika e udhëtimit të presidentit rus ende nuk është përcaktuar.
Kremlini: Putin-Trump, takim në Hungari mund të zhvillohet brenda dy javësh
Kremlini: Putin-Trump, takim në Hungari mund të zhvillohet brenda dy javësh / TRT Balkan
17 Tetor 2025

Kremlini konfirmoi të premten se një takim në Hungari midis presidentit rus Vlladimir Putin dhe presidentit amerikan Donald Trump mund të zhvillohet brenda dy javëve të ardhshme.

“Takimi mund të mbahet vërtet brenda dy javësh, ose pak më vonë. Ka një mirëkuptim të përgjithshëm që nuk ka arsye të shtyhet”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, në një konferencë për media në Moskë.

Më herët, Trump kishte konfirmuar se takimi mund të mbahej në Budapest brenda dy javësh, pas takimeve të delegacioneve të nivelit të lartë që do të zhvillohen javën e ardhshme. Ai e përshkroi bisedën e tij telefonike të së enjtes me Putinin si “shumë produktive.”

Ndihmësi i Kremlinit, Yuri Ushakov, kishte thënë se dy liderët zhvilluan një “bisedë shumë përmbajtësore, por edhe jashtëzakonisht të hapur dhe konfidenciale.” Ai shtoi se të dy presidentët diskutuan mundësinë e mbajtjes së një takimi ballë për ballë dhe ranë dakord që përfaqësuesit nga të dyja palët të fillojnë menjëherë përgatitjet për një samit, me kryeqytetin hungarez si vend të mundshëm zhvillimi.

Peskov u tha gazetarëve se vendimi për ta zgjedhur Hungarinë si vend për samitin është marrë në mënyrë të ndërsjellë, por logjistika e udhëtimit të Putinit ende nuk është e qartë.

Sa i përket arsyes pse u zgjodh Hungaria si vend i mundshëm për takimin, Peskov tha se ajo, si anëtare e NATO-s dhe e BE-së, ka një “pozicion unik në kuptimin e sovranitetit të saj dhe në mbrojtjen e interesave kombëtare.”

Ai shtoi se të dy presidentët janë të gatshëm për ta mbajtur këtë takim, por përgatitjet duhet të ecin me faza, dhe se çështja fillimisht do të diskutohet midis ministrit të Jashtëm rus Sergey Lavrov dhe sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio.

“Ka shumë çështje për t’u përcaktuar, duhet të caktojmë ekipet negociuese”, tha Peskov, duke refuzuar gjithashtu të komentojë nëse Putin dhe Trump kanë diskutuar rreth traktatit New START, i cili skadon në shkurt të vitit 2026.

I pyetur nëse një takim midis Lavrovit dhe Rubios mund të mbahet gjithashtu në Hungari, Peskov u përgjigj: “Ata do të negociojnë dhe do t’ju njoftojnë vetë për këtë.”

Ai shtoi se gjatë bisedës telefonike të së enjtes, Putin e bëri “plotësisht të qartë” qëndrimin e Rusisë për dërgimin e mundshëm të raketave lundrimi Tomahawk me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë nga ShBA.

Putin më herët kishte shprehur shqetësim se dërgimi i Tomahawkëve nga ShBA-ja në Ukrainë do të “shkatërronte” marrëdhëniet ShBA-Rusi dhe do të çonte në “një fazë krejtësisht të re dhe cilësisht më të rrezikshme të përshkallëzimit.”

Duke kujtuar deklaratat e Ushakovit se telefonata e së enjtes ishte iniciuar nga pala ruse, Peskov tha se biseda ishte propozuar nga Moska pas vizitës së Trumpit në Lindjen e Mesme. “Dhe mendimi i parë i presidentit Putin ishte ta përgëzonte Trumpin për këtë sukses,” shtoi ai.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë