| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Irani: Gjatë luftës me ShBA-në dhe Izraelin u shkatërruan 20 deri në 30 avionë
Kreu i "Iran Air", Abdolhai tha se vendit i nevojiten 1.000 avionë pasagjerësh, por ka vetëm rreth 300, prej të cilëve 130 deri në 140 ishin funksionalë para luftës.
Irani: Gjatë luftës me ShBA-në dhe Izraelin u shkatërruan 20 deri në 30 avionë
Irani: Gjatë luftës me ShBA-në dhe Izraelin u shkatërruan 20 deri në 30 avionë/ AA

Gjatë luftës së Iranit me ShBA-në dhe Izraelin u shkatërruan nga 20 deri në 30 avionë, deklaroi kreu i kompanisë shtetërore ajrore kombëtare të vendit, sipas agjencisë gjysmëzyrtare të lajmeve Tasnim.

Taher Abdolhai, drejtor ekzekutiv i "Iran Air", e njohur edhe si HOMA, tha në një konferencë për media se Iranit i nevojiten rreth 1.000 avionë pasagjerësh, por aktualisht ka vetëm rreth 300.

"Prej tyre, para luftës ishin funksionalë nga 130 deri në 140 avionë ndërsa gjatë konfliktit u shkatërruan nga 20 deri në 30", tha ai. Abdolhai tha se gjatë luftës u vunë në shënjestër nga 70 deri në 80 avionë.

Ai pretendoi se sulmet izraelite shkaktuan dëme veçanërisht të rënda në avionët e "Iran Air", duke thënë se disa avionë të kompanive të tjera u goditën nga raketa të vetme ndërsa një avion i kompanisë së tij u shkatërrua plotësisht.

Kreu i kompanisë ajrore tha se sanksionet dhe kufizimet ndërkombëtare e kanë dobësuar gradualisht veprimtarinë e "Iran Air", duke zvogëluar flotën funksionale dhe duke kufizuar qasjen në linjat ajrore fitimprurëse. Ai përmendi vështirësitë në sigurimin e pjesëve rezervë, kufizimet financiare dhe problemet me personelin si pengesa kryesore me të cilat përballet kompania.

Abdolhai tha se "Iran Air" ka më shumë se 9.000 punonjës, duke theksuar nevojën për rritjen e efikasitetit, ndërsa numri i avionëve funksionalë po zvogëlohet. Ai kundërshtoi privatizimin e kompanisë kombëtare ajrore, duke argumentuar se "Iran Air" u shërben interesave strategjike kombëtare përtej aviacionit komercial.

Deklaratat vijnë në një kohë kur pasojat e luftës së SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit vazhdojnë të ndihen. Konflikti ka shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturën ushtarake dhe civile të vendit.

Sanksionet amerikane kanë kufizuar qasjen e Iranit në avionë të rinj, pjesë rezervë, shërbime mirëmbajtjeje dhe financim ndërkombëtar. Tërheqja e Washingtonit nga marrëveshja bërthamore në vitin 2018 dhe rivendosja e sanksioneve penguan blerjen e avionëve nga "Boeing" dhe "Airbus", duke lënë disa avionë jashtë përdorimit dhe duke rritur kostot e mirëmbajtjes.