Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se liria për të protestuar është një e drejtë e pamohueshme, ndërkohë sipas tij dhuna është një krim i pajustifikueshëm.
Në një komunikim në rrjetet sociale mbi protestat e ditëve të fundit, Rama u shpreh se idetë ballafaqohen çdo ditë dhe sipas tij forcat ballafaqohen në zgjedhje.
"Dua ta përsëris se në ndërkohë që liria për të protestuar është një e drejtë e pamohueshme dhe e padiskutueshme e çdo qytetari në Shqipëri, dhuna është një krim i parelativizueshëm dhe i pajustifikueshëm dhe për fat të keq në protestat e javës së fundit u bënë bashkë që të dyja, nga një anë liria për të protestuar si një e drejtë e pamohueshme dhe nga ana tjetër dhuna si një krim që u relativizua", tha Rama.
Kryeministri Rama theksoi se që se nisi protesta paqësore masive e "flamingove", ka thënë se arsyet për të protestuar janë legjitime.
"Arsyet për të protestuar dhe për të kërkuar më shumë dhe më mirë, mund të jenë edhe të pafundme. Por se që në krye të herës ajo protestë ishte e influencuar rëndë nga forca të tjera, ka qenë një fakt", tha ai.
Rama u ndal gjithashtu sipas tij edhe në precedentët penalë të personave të arrestuar gjatë protestave të ditëve të fundit në Shqipëri.
Ai ka përsëritur sërish thirrjet për dialog, ndërkohë deri tani protestuesit kanë refuzuar.
Në Shqipëri në ditët e fundit janë mbajtur protesta të thirrura nga studentët dhe mbështetura nga pedagogë, nxënës të shkollave të mesme dhe nga qytetarët, të cilat janë shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, akteve të dhunës dhe dëmtim të pronës publike dhe institucioneve.
Protestuesit kanë pretenduar se shqetësimet e ngritura lidhen me nevojat e studentëve, të cilat sipas tyre nuk janë adresuar në vitet e fundit, ndërkohë kërkesat e tyre janë zgjeruar dhe në çështje të tjera.


















