Ministri i Punëve të Jashtme të Sirisë, Asaad al-Shaibani, u takua të premten në Londër me një grup investitorësh britanikë për t'i diskutuar mënyrat e forcimit të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve, bëri të ditur Ministria e Jashtme siriane në një deklaratë.
Takimi u zhvillua në kuadër të vizitës së Shaibanit në Mbretërinë e Bashkuar, e cila filloi të mërkurën dhe nuk ka ende një datë përfundimi të shpallur.
Sipas deklaratës, Shaibani u takua me drejtues biznesi dhe investitorë britanikë për të shqyrtuar mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe investimeve. Të dyja palët diskutuan projekte të mundshme partneriteti që do t'i ndihmonin përpjekjet e Sirisë në zhvillim.
Ministria citoi Shaibanin të ketë thënë se qeveria siriane “është e përkushtuar për krijimin e një mjedisi miqësor për investime, që sjell përfitime për të dyja palët”.
Të enjten, diplomati i lartë sirian njoftoi rishhapjen e ambasadës së Sirisë në Londër pas 13 vitesh mbylljeje, sipas një postimi që publikoi në X.
Vizita e tij është pjesë e përpjekjeve të administratës së re siriane për t’i dhënë fund izolimit ndërkombëtar të Damaskut pas politikave të regjimit të rrëzuar të Bashar al-Assadit, si dhe për të hapur kanale zyrtare me shtetet kryesore perëndimore.
Rëndësia strategjike e kësaj vizite lidhet gjithashtu me vizitën e fundit të presidentit Ahmad al-Sharaa në Uashington, ku ai u takua me presidentin amerikan Donald Trump, një sinjal i qartë i synimit të Damaskut për të avancuar marrëdhëniet me fuqitë kryesore botërore.
Assad, i cili udhëhoqi Sirinë për gati 25 vjet, u arratis në Rusi dhjetorin e kaluar, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, që kishte qenë në pushtet që nga viti 1963. Një administratë e re tranzitore, e udhëhequr nga Ahmad al-Sharaa, u formua në janar.























